ODIHR opinion urgjent mbi ligjin për financimin e partive politike: Më shumë transparencë dhe kontroll mbi donacionet

14/05/2026 10:16

ODIHR publikoi opinionin urgjent për projektligjin shqiptar “Për financimin e partive politike”, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv drejt forcimit të transparencës dhe kontrollit mbi financat e partive.

Dokumenti vlerëson se projektligji krijon një kuadër më të detajuar për të ardhurat, shpenzimet, raportimin, auditimin dhe mbikëqyrjen e partive politike, duke bashkuar në një ligj të vetëm rregulla që deri tani ndaheshin mes ligjit për partitë politike dhe Kodit Zgjedhor. Megjithatë, organizata ndërkombëtare ngre disa shqetësime serioze për boshllëqe që mund të lejojnë shmangien e ligjit.

Sipas ODIHR-it, drafti duhet të ndalojë në mënyrë të qartë donacionet e bëra në emër të personave të tjerë dhe të kërkojë publikimin e profesionit dhe punëdhënësit të çdo donatori. Po ashtu kërkohet identifikimi i pronarëve përfitues të kompanive që financojnë partitë politike, në mënyrë që të shmangen financimet e fshehta apo ndikimi i interesave të padeklaruara. Një tjetër pikë ku ODIHR kërkon ndërhyrje lidhet me huatë dhe kontributet në natyrë. Raporti thekson se projektligji duhet të ketë rregulla më të qarta për regjistrimin, raportimin dhe monitorimin e huave të marra nga partitë politike, përfshirë kushtet e kthimit të tyre dhe çdo ndryshim në kontrata.

ODIHR rekomandon forcimin e sistemit të sanksioneve. Lista aktuale e ndëshkimeve nuk mbulon të gjitha shkeljet e parashikuara në draft dhe duhet të përfshijë qartë edhe rastet e marrjes së donacioneve nga burime të ndaluara. Organizata kërkon që gjobat për donacionet që tejkalojnë kufijtë ligjorë të jenë proporcionale me shumën e tejkaluar dhe të ketë procedura më të qarta për kufizimet ndaj partive që nuk përmbushin detyrimet financiare.

Në raport ngrihet edhe shqetësimi për kapacitetet reale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. ODIHR paralajmëron se zbatimi efektiv i ligjit do të varet nga burimet njerëzore, financiare dhe teknike që do të ketë KQZ-ja për të kontrolluar raportimet, për të hetuar shkeljet dhe për të administruar sistemin elektronik të deklarimit financiar.

Një pjesë e rëndësishme e opinionit lidhet edhe me financimin publik të partive. ODIHR sugjeron që kriteret për shpërndarjen e fondeve të lidhura me barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e të rinjve të jenë më të qarta dhe më transparente në vetë ligjin, ndërsa kërkon gjithashtu sqarime për mënyrën e aksesit falas të partive në median publike gjatë fushatave zgjedhore.

ODIHR vlerëson se projektligji mund të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit, rritjen e transparencës dhe krijimin e një gare më të barabartë politike në Shqipëri, por thekson se përputhja e plotë me standardet ndërkombëtare kërkon ndryshime dhe sqarime të mëtejshme para miratimit përfundimtar të ligjit.

 

Top Channel