Nis gara për drejtimin e Realit, investitori i njohur spanjoll gati të kandidojë për postin e presidentit kundër Perezit

13/05/2026 18:44

Enrique Riquelme, president i “Cox Group”, po shqyrton seriozisht mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Real Madridit.

Sipas “MARCA”-s, njoftimi i afërt për zgjedhjet nuk e ka zënë në befasi biznesmenin nga Alicante, i cili raportohet se është i gatshëm të hyjë në garë. Burime pranë tij theksojnë se, për momentin, duhet pritur që procesi zgjedhor të nisë zyrtarisht.

Riquelme është aksionari kryesor i “Cox Group”, një kompani e fuqishme në sektorin e energjisë së rinovueshme që operon në më shumë se 30 vende të botës. Në javët e fundit, ai ka qenë në qendër të vëmendjes edhe në mediat financiare ndërkombëtare për disa transaksione të rëndësishme, përfshirë blerjen e “Iberdrola Mexico” për rreth 4 miliardë dollarë dhe një emetim rekord obligacionesh në SHBA me vlerë 2 miliardë dollarë. Gjithashtu, ai është përfshirë në lista ndërkombëtare si një nga figurat me ndikim në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Në një konferencë të fundit për shtyp, presidenti aktual i Real Madridit, Florentino Pérez, iu referua indirekt Riquelmes, duke përmendur një “person me theks latin që flet me kompanitë energjetike”, si dhe duke lënë të kuptohet për ekzistencën e një grupi biznesmenësh të rinj që mund të përfshihen në të ardhmen e klubit.

Sipas raportimeve, Riquelme ka pranë vetes një rreth biznesmenësh të rinj dhe tifozë të Real Madridit, të cilët mund ta mbështesin nëse ai vendos të kandidojë zyrtarisht.

Në një paraqitje të fundit publike, ai ishte i ftuar nderi në një aktivitet të organizuar nga tifozët e Real Madridit në Alicante, në homazhin për “La Séptima”, ku ndau tryezën kryesore me figura të njohura si Pedja Mijatović dhe Fernando Sanz.

Top Channel