“Kemi që në orën 10 këtu”/ Debate në dëgjesat për Reformën Territoriale, Mazniku i ndërpret fjalën Carës, deputeti i PD: Kam hallin e qytetit tim, nuk më intereson koha juaj

13/05/2026 20:55

Dëgjesat në Komisionin për Reformën Territoriale dhe Administrative me kryetarët e bashkive janë shoqëruar edhe ditën e sotme me debate.

Bashkryetari Arbjan Mazniku është përplasur me deputetin e PD-së Igli Cara, ndërsa i ka kërkuar këtij të fundit të mos zgjatet në fjalën e tij kur fliste për problematikat e qytetit të Durrësit, duke i kujtuar se ky Komision vazhdonte që prej mëngjesit.

Cara i është kundërpërgjigjur me tone të ashpra, duke thënë: “Nëse je i lodhur, mund të largohesh dhe ata do të vazhdojnë vetë diskutimin.”

Deputeti Cara u shpreh se, nëse do të ishte në vendin e Maznikut, nuk do t’ia ndërpriste kurrë fjalën një deputeti që fliste për hallet e qytetit të tij.

Cara: Kemi një propozim konkret nga zoti Mazniku, ku propozon një ndarje tjetër në dy nivele. Një të jetë nivel më i gjerë, një qark ose rreth, dhe kjo për arsye… Jeni ju dakord që të kemi tani dy nivele? Ne jemi për ndarje sa më shumë. Dhe pyetja e dytë është që: ne flasim për autonominë e të ardhurave. Ne nuk kemi transport nga Ishmi deri në Durrës. Nuk i marrin shërbimet si i kanë pasur më parë.

Mazniku: O zoti Cara, kemi 5 minuta koment për herë në orën 7, pas 11 orësh rresht. Kemi këtu që në orën 10.

Cara: S’ta pranoj dot.

Mazniku: E kemi lënë të bëjmë dëgjesë. Ne bëjmë një pyetje, kemi thirrur njerëzit t’i dëgjojnë, jo të na dëgjojnë neve.

Cara: Nuk e ndjej fare punën e kohës tënde, kam hallin e qytetit tim. Po s’ke kohë, ik se vazhdojmë ne. Po qe i lodhur, ik. Është pa sens logjik. Të lutem ma lër ta përfundoj.

Mazniku: O zoti Cara, të lutem, po të them që në respekt të konceptit të dëgjesës ajo ka një parim: të dëgjojmë ata njerëz.

Cara: Dhe unë në respekt të atyre po rri.

Mazniku: Nuk ka logjikë dëgjesa. Parimi i dëgjesës ka një element thelbësor: ne bëjmë pyetje, ata përgjigjen. Ne do kemi gjithë kohën e nevojshme që të themi gjithë mendimet tona. Ka gjithë ditën sot na dëgjojnë ne. Të gjithë.

Cara: Po të isha në pozicionin tuaj nuk do t’i ndërhyja kurrë një deputeti. Ju nuk mund të më tregoni mua si ta bëj pyetjen. Është jo etike. Mos ma bëj më, se do detyrohem të them fjalë më të rënda.

Top Channel