Universiteti i Arteve celebroi sot 60-vjetorin e krijimit në një aktivitet që nderon historinë, përkushtim, talentin dhe pasionin e mijëra njerëzve që kanë kaluar në atelier studiot skenat.
“Për shumë njerëz, ky universitet nuk ka qenë thjesht një shkollë, ka qenë vendi ku kanë zhvilluar veten, kanë zbuluar talentin, kanë gjetur zërin e tyre. Kanë mësuar të shprehin emocionet përmes muzikës, teatrit, pikturës. Ky universitet nuk ka formuar vetëm artistë, por njerëz që kanë ditur të prekin shpirtin e publikut”, tha rektori i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli.
I themeluar më 1966, Instituti i Lartë i Arteve bashkoi tre institucione artistike: Konservatorin Shtetëror të Tiranës, Shkollën e Arteve të Bukura, dhe Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”. Më 1990, ky institut u ngrit në nivel Universiteti dhe u emërua “Akademia e Arteve”, duke formësuar breza të tërë artistësh.
“Ka një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e artit dhe kulturës në vendin tonë. Në zhvillimin deri në vendet më të thella në një kohë kur analfabetizmi ishte i lartë”, u shpreh, Ermir Dizdari, Mjeshtër i Madh, dirigjent.
Studentë dhe ish-studentë u bënë bashkë në një takim brezash, duke theksuar rolin e artit si një nga mënyrat më të fuqishme për të ruajtur identitetit, historinë dhe emocionet njerëzore.
“Këtu mora formimin tim profesional, mbi të gjitha mësova të dua artin, skenën, dijen dhe përgjegjësinë që sjellë krijimtaria”, tha Petrit Malaj, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Për të nderuar figurat e njohura që kanë kontribuar në këtë institucion akademik përgjatë 6 dekadave, u ndanë certifikata mirënjohjeje.
Për kontributin në fushën e Arteve, u vlerësuan Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Ksenofon Dilo, Hasan Nallbani, Danish Jukniu, Kristaq Kristiko, Nikolla Thano, Jorgji Gjikopulli dhe Arminda Laçaj.
Si artistë me vlera të spikatura në zhvillimin e shkollës së kantos u nderuan Xhoni Athanas, Llukë Kaçaj, Shqipe Zani, Edmod, Buharaja, Mustafa Krantja, Rozmari Jorganxhi, Ymer Skënderi, Tonin Guraziu, Gjergj Pekmezi, Filip Koleka, Ramazan Kaponja.
Si gurë themeli në shkollën e Artit Skenik u nderuan Viktor Zhusti, Niko Kanxheri, Skënder Plasari, Dhimitër Pecani, Ahmet Pasha, Blerina Arbana, Qirjako Meniko, Josif Papagjoni, Esat Mysliu, Mevlan Shanaj.
Top Channel