Video/ Pengmarrje dhe të shtëna në Turqi, shoferi hero i taksisë çarmatos autorin gjatë ndjekjes me policinë

11/05/2026 21:20

Një ngjarje e pazakontë dhe me skena si në filma aksion ndodhi të dielën në Gaziantep, ku një shofer taksie 58-vjeçar arriti të çarmatosë një pengmarrës të armatosur, pas një ndjekjeje dramatike me policinë.

Sipas mediave turke, 31-vjeçari Semih T dhe 36-vjeçarja Gulbahar G, që dyshohet se ishte partnerja e tij, morën peng shoferin e taksisë nën kërcënimin e një pushke gjahu dhe u larguan me automjetin. Pas denoncimeve nga qytetarët, policia nisi menjëherë ndjekjen e automjetit. Autorët refuzuan të ndalonin, ndërsa ndjekja vijoi nga zona Araban deri në hyrje të qytetit, në lagjen Sehitkamil. Situata u tensionua edhe më shumë kur 31-vjeçari hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë nga brenda taksisë.

Gjatë gjithë kohës, shoferi 58-vjeçar Ramazan Y. mbahej peng dhe detyrohej të drejtonte mjetin sipas urdhrave të autorit. Në momentin kur pengmarrësi po qëllonte nga dritarja drejt policisë, shoferi shfrytëzoi rastin, i rrëmbeu armën dhe arriti ta çarmatosë.

Menjëherë pas kësaj, policia ndërhyri, rrethoi taksinë dhe arrestoi 31-vjeçarin, si edhe gruan që ndodhej me të në automjet. Shoferi i taksisë mbeti i plagosur lehtë në gisht.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë qytetarë të tmerruar që largohen nga makinat për t’u mbrojtur nga të shtënat, ndërsa dhjetëra efektivë policie bllokojnë zonën për të neutralizuar autorët. Dy të arrestuarit janë shoqëruar në komisariat, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Top Channel