Jepet çmimi “Lumo Skëndo”, Thomas Frashëri vlerësohet për studimin mbi princat arbërorë dhe osmanët

11/05/2026 15:52

Vepra e studiuesit Thomas Frashëri “Princa të Lilit, bij të Arbërit, familjarë të Sulltanit” u përzgjodh fituese e edicionit të pestë të Çmimit Lumo Skëndo, të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Juria e kryesuar nga Monika Stafa, me anëtarë Aida Tuci, Ardian Muhaj, Alfred Peza dhe Flogert Muça shqyrtoi rreth 100 botimeve të vitit që lamë pas dhe vleërësoi veprën e Frashërit për origjinalitetin shkencor dhe metodologjinë bashkëkohore në trajtimin e historisë shqiptare.

“Vepra sjell një qasje të thellë kulturore dhe njerëzore duke krijuar një urë mes historisë dhe reflektimit bashkëkohor”, tha gazetarja Monika Stafa.

“Hedh dritë mbi një periudhë të paekspoluar nga studiuesit, periudha mes Bizantit dhe pushtimit Osman, i bën nder letrave shqipe”, deklaroi Alfred Peza

Me këtë studim, autori hedh dritë mbi ndryshimet identitare që kanë ndodhur në shekujt 13-15 që kanë paraprirë epokën e Skënderbeut, duke forcuar ndërgjegjen historike mbi trashëgiminë dhe rolin e elitave shqiptare.

“Një temë shumë e rëndësishme që kalon në filigramë gjatë gjithë librit është trashëgimia e stemës së Topiajve, që sot është në Muzeun Kombëtar dhe dekriptimi i shenjave të saj që hapin një dimension të ri kërkimor me personazhe, me ngjarje dhe me ravijëzime politike që kanë qenë vendimtare gjatë asaj periudhe”, deklaroi Thomas Frashëri.

Çmimi “Lumo Skëndo” sjell në vëmendje veprën e një personaliteti të madh si Mid’hat Frashëri, ndërsa ky vit shënon 100-vjetorin e krijimit të librarisë së tij.

“Ishte libraria më moderne për historinë e asaj. Më vonë lindi nevoja që libraria të ndryshonte vend sepse u rrit, kishte nevojë  për më shumë hapësirë. Kishte më shumë lexues”, tha Arta Marku.

Libraria e shkrimtari, një thesar me botime të vyera dhe antikuarë, u sekuestrua nga regjimi komunist dhe më pas i kaloi Bibliotekës Kombëtare.

Top Channel