Greqia hoqi përkohësisht detyrimin që qytetarët britanikë të kalojnë nëpër sistemin e ri të hyrje-daljes EES, ministrja greke: Të rishikohet qasja ndaj tyre

11/05/2026 21:14

Evropa duhet të rishikojë mënyrën se si po zbaton kërkesat e reja të hyrjes për turistët britanikë, sipas ministres së Turizmit të Greqisë.

Deklaratat e Olga Kefalogianni vijnë pasi Greqia hoqi përkohësisht detyrimin që qytetarët britanikë të kalojnë nëpër sistemin e ri të hyrje-daljes së BE-së (EES) këtë verë, pas radhëve të gjata në disa aeroporte evropiane. Masa pritet të zgjasë të paktën deri në shtator.

Sistemi i ri biometrik kërkon që qytetarët jo të BE-së të kryejnë skanim të fytyrës dhe të japin gjurmët e gishtërinjve në kioska automatike gjatë hyrjes në kufijtë evropianë, duke zëvendësuar vulosjen tradicionale të pasaportave. Procesi përsëritet në çdo hyrje në territorin e BE-së.

Sipas autoriteteve, këto kontrolle zgjasin mesatarisht rreth dy minuta për person, por në praktikë kanë shkaktuar vonesa të konsiderueshme në aeroporte të ndryshme evropiane që nga zbatimi i plotë i sistemit.

“Ky është mendimi im personal, por mendoj se duhet të kemi një diskutim në nivel evropian për mënyrën se si trajtohen qytetarët britanikë”, u shpreh Kefalogianni për “The Times”.

“Është koha të bëjmë dallime dhe të rishikojmë qasjen e përgjithshme”, shtoi ai. 

Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga tregjet kryesore turistike për Greqinë, me rreth pesë milionë vizitorë vitin e kaluar, një rritje prej 7% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë muajve të parë të zbatimit të sistemit EES, disa aeroporte greke raportuan radhë që zgjatnin mbi dy orë, sidomos në ishujt turistikë, të cilët nuk janë të përshtatur për fluks të lartë pasagjerësh.

Pas pezullimit të përkohshëm të kontrolleve në Greqi, qytetarët britanikë po trajtohen sërish me kontrolle manuale, duke eliminuar vonesat e raportuara më parë.

Ndërkohë, Komisioni Evropian ka sinjalizuar se vendet anëtare kanë fleksibilitet për të pezulluar përkohësisht zbatimin e sistemit në rast se krijohen probleme serioze gjatë sezonit turistik.

Top Channel