Rrëzim pak pas mesit të garës për autorin e “pole position”, Francesco Bagnaia.

Një tripletë historike për Aprillian në pistën e Le Mans. Jorge Martin, i cili ishte fitues edhe në garën “Sprint” të së shtunës, sulmoi dhe parakaloi shokun e tij të skuadrës, Marco Bezzecchi, vetëm tre xhiro përpara fundit të Çmimit të Madh të Francës. Podiumi u plotësua tërësisht nga motorët e Aprillias, ku piloti japonez Ai Ogura zuri vendin e tretë me RS-GP të skuadrës Trackhouse.

Në vendin e katërt, fare pranë podiumit, u rendit Fabio Di Giannantonio me Ducati VR46, ndërsa Pedro Acosta mbylli pesëshen e parë me KTM Red Bull. Idulli i shtëpisë, Fabio Quartararo, e përfundoi garën në vendin e gjashtë me Yamaha Monster Energy.

Gara e Francesco Bagnaia-s përfundoi në mënyrë zhgënjyese me një rrëzim në kthesën pas bokseve, në xhiron e 16-të nga 27 gjithsej. Kampioni i botës ishte i vetmi pilot i skuadrës zyrtare Ducati në garë, pas mungesës së Marc Marquez. Edhe pse u nis jo mirë nga vendi i parë, në momentin e rrëzimit ai mbante vendin e dytë pas Bezzecchi-t dhe ishte nën presionin e Acostës.

Ndërkohë, gara zgjati vetëm dy xhiro për Alex Marquez, i cili gjithashtu u rrëzua. Jashtë piste përfunduan edhe Joan Mir me Honda HRC dhe Brad Binder me motorin tjetër zyrtar të KTM-së.

Top Channel