Shfaqja teatrale “NUNCA MAS” solli në skenë një rrëfim të fortë psikologjik dhe historik mbi dramën e “desaparecidos” në Argjentinë, duke trajtuar plagët e diktaturës ushtarake dhe peshën e kujtesës njerëzore.
E ndërtuar si një thriller psikologjik, vepra zhvillohet në një redaksi të zymtë në periferi të Buenos Aires-it, ku një gazetar nis një hetim mbi të mbijetuarit e kësaj periudhe tragjike. Ajo që në fillim duket si një intervistë e zakonshme, shndërrohet gradualisht në një përballje të fortë emocionale dhe mendore, ku kujtimet, faji dhe e vërteta përplasen vazhdimisht.
Përmes një atmosfere të rëndë dhe klaustrofobike, shfaqja vendos publikun përballë pyetjeve të forta morale dhe njerëzore: a ekziston një e vërtetë absolute dhe a mund të jetojë njeriu me kujtimet apo përfundon i shkatërruar prej tyre.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu në Shqipëri, në Gjirokastër. Nuk kam qenë kurrë më parë dhe kjo është hera e parë që vizitoj Shqipërinë dhe publikun shqiptar. Kemi ndjerë dashurinë e publikut përmes duartrokitjeve gjatë gjithë shfaqjes”, u shpreh aktori Danilo Angiolino.
“Jam e lumtur që shkel në këtë tokë që na ka pritur në një mënyrë shumë dashamirëse dhe ishte emocionuese të interpretoja përballë këtij publiku”, tha aktorja italiane Federica Coluci.
“Për mua është hera e dytë që vij në Shqipëri dhe këtu në Gjirokastër. Hera e parë na dha mundësinë të njihnim këtë qytet të mrekullueshëm, muzeumet dhe historinë e tij. Të rikthehesh si protagonist është një emocion shumë i madh që nuk përshkruhet”, tha regjisori Mimmo Capozzi
Regjia ndërton një tension të vazhdueshëm emocional përmes dritës, tingujve dhe afërsisë skenike, duke e bërë spektatorin pjesë të drejtpërdrejtë të dramës që zhvillohet në skenë. “NUNCA MAS” nuk është vetëm një shfaqje teatrale, por një reflektim i thellë mbi kujtesën historike, ndërgjegjen kolektive dhe pasojat që lënë regjimet represive në jetën e njerëzve.
Top Channel