“Negociatat avancuan me ritëm, gati të hyjmë në fazën e mbylljes së kapitujve”, Rama në ‘Flasim’: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e BE-së

10/05/2026 09:39

Në mbyllje të javës, Kryeministri Rama renditi disa prej zhvillimeve më të rëndësishme të ditëve që lamë pas, të lidhura me rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Në Podcastin e tij ‘Flasim’, Kryeministri i cilësoi zhvillimet si pjesë e një procesi të pandalshëm reformash dhe transformimesh që po e afrojnë Shqipërinë gjithnjë e më shumë me objektivin historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Dje, më 9 maj në ditën e Europës, Shqipëria e gjeti veten më pranë se kurrë Bashkimit Europian.

Për herë të parë pas shumë dekadash rruga drejt Bashkimit Europian nuk duket më si një horizont i largët, por si një majë tanimë e kapshme me sy dhe e arritshme në kohën që kemi në dispozicion.

Negociatat kanë avancuar me ritëm, kapitujt janë hapur në kohë rekord, marrëdhënia me Bashkimin Europian ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete dhe tani  Komisioni Europian dhe vendet anëtare përmes ambasadorëve të tyre janë në një fazë kyçe të procesit ku diskutojnë raportin e Komisionit, i cili nënvizon se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe është e gatshme të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve duke kaluar përmes piketave të ndërmjetme dhe e gjitha kjo nuk ka ardhur rastësisht ka ardhur me punë, ka ardhur me rezultate, ka ardhur nga një proces transformues që vazhdon në çdo sektor.

Reforma në drejtësi, transformimi i administratës, digjitalizimi i shërbimeve, modernizimi i ekonomisë, investimet dhe transformimet në energji, infrastrukturë, standarde të reja në sektorët strategjik nuk janë pjesë të shkëputura dhe asnjë listë fjalësh pas të cilave ka pak përmbajtje, por janë hallkat e një zinxhiri gjithnjë e më solid të ndërtimit të shtetit europian të shqiptarëve.

Prandaj 9 maji nuk është për ne vetëm festa e Europës, por është edhe momenti kur marrim frymë me një ndjenjë legjitime krenarie dhe ecim përpara për të arritur majën që tanimë është e arritshme më thjeshtë dhe vetëm angazhim, angazhim, angazhim dhe vullnet, vullnet, vullnet”, u shpreh Kryeministri Rama.

Top Channel