Java e gjykimit në Superiore/ Tirana, Bylis, Vora dhe Teuta mes ankthit dhe shpresës në 90 minuta e fundit

10/05/2026 15:17

Sot në orën 16:00, kampionati i Abissnet Superiore mban frymën.

Nëntëdhjetë minutat e javës së 36-të dhe të fundit, do të vulosin gjithçka në luftën e ashpër për mbijetesë. Me Flamurtarin tashmë jashtë ekuacioneve, katër skuadra luajnë fatin e një sezoni në fije të perit.

Tirana dhe Bylisi ndajnë kuotën e 41 pikëve, të ndjekura nga Vora dhe Teuta me nga 39. Por nëse e diela mbyllet me barazim pikësh mes dy apo më shumë skuadrave, llogaritë nuk nisin nga golavarazhi i përgjithshëm. Rregullorja flet qartë: kriteri i parë do të jenë përballjet direkte.

Pikët, diferenca e golave dhe golat e shënuar mes vetë skuadrave të përfshira do të bëjnë ndarjen e madhe, duke e bërë matematikën e kësaj jave edhe më dramatike. Kryefjala e ditës shkruhet pa dyshim në sfidën direkte, Vora-Bylis. Të dyja vijnë të pamposhtura në pesë javët e fundit. Bilanci sezonal mes tyre është dy fitore të ballshiotave dhe vetëm një të vorakëve, ndërkohë që, këtë herë, barazimi është një luks që asnjëra nuk e ka.

Në Elbasan, Tirana kërkon shpëtimin ndaj kryesuesve vendas. Bardheblutë vijnë me moralin e duhur pas një ecurie të mirë, ndërsa AF Elbasani, pavarësisht 62 pikëve, ka shfaqur luhatje dhe një rënie të theksuar të formës në ndeshjet e fundit. Një ngërç që kryeqytetasit do të tentojnë ta shfrytëzojnë për të shmangur më të keqen.

Ndërkohë, në Durrës, Teuta luan një “finale” mbijetese ndaj Egnatias. Durrsakët, kampionë të barazimeve me 15 të tilla këtë sezon, vijnë pas një serie të errët prej pesë javësh pa fitore. Përballë tyre zbret një Egnatia e qetë, me biletën e Final 4 tashmë në xhep. Matematika është e ftohtë: vendi i nëntë zbret direkt në Kategorinë e Parë, i teti luan “play-out”-in e shpresës. Nga Vora në Elbasan, e nga Durrësi në fushën e gjelbër, kjo e diel premton tension, lot dhe spektakël deri në sekondën e fundit.

Top Channel