Të pasurit biznes në vendin tonë po kthehet në trend teksa numri i tyre vitet e fundit është rritur ndjeshëm. Por përballë shifrave pozitive dhe nevojës sëlart për fuqi punëtore, fshihen problematika serioze.
Instituti i Statistikave në raportin për ndërmarrjet aktive në Shqipëri bën të ditur se rezultojnë 127 mijë e 634 ndërmarrje aktive, ndërsa janë hapur mbi 15 mijë biznese të reja. Por ajo që ngre pikëpyetje është struktura reale e tyre.
Në raport thuhet se mbi 50 për qind e ndërmarrjeve aktive rezultojnë pa asnjë të punësuar me pagesë, çka do të thotë bizneset e reja nuk po hapin vende të reja pune. Një ecuri e tillë tregon se vitet e fundit po dominojnë mikrobizneset, vetëpunësimi dhe në disa raste dhe informaliteti në ekonomi ku shumë drejtues zgjedhin të mos deklarojnë punonjësit e tyre duke ulur kështu kostot dhe mospaguar sigurimet shoqëroret e shëndetësore.
Ndalur sipas sektorëve, peshën kryesore të këtij trendi e mbajnë aktivitetet e shërbimeve dhe transporti. Sektori i shërbimeve të tjera kryeson listën me 67.1% të ndërmarrjeve pa punonjës, i ndjekur ngushtë nga transporti dhe magazinimi, si dhe sektorët e teknologjisë dhe tregtisë, ku shifrat luhaten mbi 55%, duke konfirmuar se edhe në degët që konsiderohen me rritje të shpejtë, siç është informacioni dhe komunikacioni, modeli i punës mbetet kryesisht individual.
E ndërsa qëllimi I bizneseve të reja duhet të jetë dhe hapja e sa më shumë vendeve të punës, vet raporti thekson se vetëm 6.3% e ndërmarrjeve aktive rezultojnë me 10 ose më shumë të punësuar me pagesë.
Një tjetër problem lidhet me modelin ekonomik të vendit. Pothuajse 35 për qind e bizneseve operojnë në tregti, ndërsa industria përpunuese mbetet në nivele shumë më të ulëta. Kjo tregon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbështetet më shumë tek shitja dhe importi, sesa tek prodhimi dhe eksporti.
Shifrat tregojnë një ekonomi aktive, por njëkohësisht ngrenë pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë, formalizimin dhe drejtimin afatgjatë të zhvillimit ekonomik në vend.
Top Channel