Qershia e importit godet fermerët/ Prodhimi vendas mbetet pa treg, çmimi trefishohet në Tiranë

09/05/2026 15:44

Andi Toromani, nga fshati Shilbater i Elbasanit, zotëron 500 rrënjë qershi të hershme për të kapur çmimin e dëshiruar.

Por subvencionet e munguara e drejtojnë tregtarin të blejë qershi të huaj, sepse prodhimi vendas i jep atij më pak fitim.

“Konsumoni qershitë e tokës shqiptare dhe jo ato greke, është bio”, u shpreh fermeri Andi Toromani.

Andi thotë se edhe atëherë kur tregtarët blejnë qershinë e tokës së tij, 1 kg qershi e shesin 150% më shtrenjtë nga vlera fillestare. Çmimi i kripur i qershisë, që ëmbëlson tregtarët, shkakton pakënaqësi tek fermerët dhe konsumatorët.

“Kjo është një super qershi bishtshkurtër. Një kg qershi po e shes me 6 mijë lekë, por në Tiranë e shoh që shitet me 15 mijë lekë. Ky çmim i lartë e mban larg konsumatorin dhe për këtë arsye ne shesim më pak”, tha ai.

Tregtia e pandershme e detyron 37-vjeçarin të jetojë mes fshatit të Elbasanit dhe qytetit Këln të Gjermanisë. Kërkesat e tij për t’u shpërngulur përgjithmonë në vendlindje janë bazike për një bujk që do të punojë tokën.

“Unë emigroj në Greqi, Itali dhe tani në Gjermani, ku punoj në ndërtim. Por sytë i kam këtu, dua të kthehem dhe kërkoj vetëm drita, ujë dhe rrugë. Nuk mund ta mbash pemën me bidona, ujitja kërkon sistem”, u shpreh Andi.

Ekstremiteti i temperaturave përgjatë stinës së dimrit dhe pranverës ka sjellë më pak prodhim për fermerët e qershive.

Top Channel