Ishin në fluturim bashkë me gruan e infektuar me hantavirus që ndërroi jetë/ Katër turistë kalojnë tranzit në Romë, vihen në lëvizje autoritetet shëndetësore italiane Deri dje mendohej se laburistët do humbisnin keq në zgjedhjet lokale të 7 majit, por që laburistët në pushtet të përfundonin partia e tretë në shkallë vendi për nga vendet e fituara në pushtetin lokal, dhe të humbisnin në Uells, dhe të dalin partia e tretë në Skoci, është thjesht e paimagjinueshme, vetëm dy vjet pas fitores spektakolare në zgjedhjet e përgjithshme.
Fituesit e vërtetë të këtyre zgjedhjeve janë partia “Reforma”, e populistit Nigel Farage, ndërkohë konservatorët kanë hapur kapakun e arkivolit të tyre politik, kur mendohej se do ishin të vdekur por të pakallur. Kryeministri laburist Starmer, është duke përjetuar Starmagedonin e tij politik, edhe pse ka deklaruar se nuk do largohet nga posti. Por është reagimi i deputetëve të tij në grupin parlamentar ai që ka më shumë rëndësi për avenirin politik të kryeministrit, pasi në fund të fundit ata janë gjykatësi, juria edhe ekzekutori i kryeministrit laburist dhe e ardhmja e tij në fund të fundit është në duart e tyre.
Zgjedhjet lokale bënë që laburistët të humbasin deri më tani thuajse gjysmën e vendeve, ndërkohë partia “Reforma” e Farage arrin fitore masive për të dytin vit radhazi, me dyfishin e vendeve në pushtetin lokal se laburistët. Vota në rang vendi duket se e vendos partinë e Brexit-it, çka realisht është, në kuotën e 27 për qind të votës në shkallë vendi, dhe konservatorët e qendrës së djathtë në 20 për qind, ndërkohë laburistët në vend të tretë.
Laburistët kanë humbur më keq në zonat elektorale që dikur kanë qenë bastionet e tyre në rajonet industriale, dhe vota në radhët e klasës punëtore është historikisht për Partinë Laburiste, ose në shqip, Partinë e Punës. Laburistët humbën Uellsin në zgjedhjet rajonale, një bastion që e kanë kontrolluar prej 100 vjetësh. Ndërkohë janë të tretët në Skoci.
Sistemi dypartiak në Britani është shkërmoqur këtë të premte në testin më të rëndësishëm të opinionit publik, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2029, ku pak besojnë se laburistët do shkojnë me të njëjtin lider, kryeministrin aktual, i cili sipas sondazheve të opinionit publik, kryeministri Starmer rezulton me mbështetjen më të keqe për të gjithë liderët e Britanisë deri më sot.
Top Channel