Nga një udhëtim luksoz në një thriller shëndetësor, çfarë ndodhi në anije para dhe pas shpërthimit të epidemisë së Hantavirusit

07/05/2026 09:28

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkon origjinën e mutacionit të hantavirusit nga kontakti i dy pasagjerëve me një brejtës gjatë vëzhgimit të zogjve në Argjentinë, jeta në anijen turistike të karantinuar MV Hondius po përpiqet të vazhdojë normalisht.

“Udhëtimi që do ta mbani mend për një jetë”, reklamoi kompania e udhëtimeve për peizazhet më magjepsëse në tokë, megjithëse ai do mbahet mend për arsye krejt të tjera, për t’u kthyer në një thriller shëndetësor që po ndiqet me vëmendje nga e gjithë bota.

149 pasagjerët nga 23 vende, që ndodhen në bordin e anijes janë përgjithësisht të qetë. Edhe pse po shohin ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të veshur me kostume speciale karantine, teksa zbresin nga anija në të cilën dyshohet se është kërkuar gjurma e brejtësve, nga të cilët mendohet se ka origjinën mutacioni “Andean” i hantavirusit me transmetim nga njeriu te njeriu, ata po përpiqen të përballojnë situatën me ushqim të mirë, pije të nxehta dhe qëndrimin në kabina.

Sallat luksoze, zakonisht të mbushura me njerëz, të anijes, e njohur për udhëtimet në zonat më të largëta të botës, janë thuajse bosh. Ekuipazhi u ka kërkuar pasagjerëve të qëndrojnë sa më shumë në kabina, të përdorin dezinfektantë, të mbajnë maska dhe të ruajnë distancën, një situatë që rikujton kufizimet e periudhës së pandemisë së koronavirusit.
Atmosfera e qetë në anije u ndërpre nga publikimi i një videoje nga vlogeri amerikan i udhëtimeve Jake Rosmarin. Në video, ai shfaqet i emocionuar dhe me lot në sy, duke thënë se “ne nuk jemi thjesht një histori, nuk jemi tituj lajmesh. Jemi njerëz me familje dhe jetë që na presin në shtëpi”. Komenti i tij shkaktoi reagime të shumta në rrjet, ku disa i kërkuan durim, ndërsa të tjerë e kritikuan. Lehtësimi emocional i influencuesit u menaxhua nga ekuipazhi, i cili sipas tij u kujdes për të duke i ofruar ushqim dhe mbështetje, çka e bëri më pas të publikonte video të tjera ku dukej më i qetë. Edhe pasagjerë të tjerë, si influencuesi i udhëtimeve Kassem Hato, deklaruan se “gjithçka është nën kontroll dhe pasagjerët janë të qetë”.

Këto deklarata erdhën në një moment kur në rrjetet sociale kishin nisur spekulime për situatë jashtë kontrollit në anije, për panik masiv apo izolim të detyruar ekstrem, madje edhe teori se anija nuk ekzistonte.

Ndërkohë, është publikuar edhe një video e datës 12 prill, ku kapiteni informon pasagjerët se njëri prej tyre ka ndërruar jetë “nga shkaqe natyrore” dhe se “anija është e sigurt, pasi nuk ka rrezik ngjitjeje”.

Ndërsa situata në bord mbetet e kontrolluar, jashtë saj tensioni është rritur. Anija me tre raste të konfirmuara dhe të paktën pesë raste të dyshuara të hantavirusit ka marrë miratim nga Spanja për ankorim në ishujt e saj, por autoritetet e Kepit të Gjelbër nuk e kanë lejuar, ndërsa vendimi është kundërshtuar edhe nga presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, duke bllokuar hyrjen e Hondius. MV Hondius u nis më 1 prill nga Ushuaia, Argjentinë, duke kaluar pranë zonave të akullta dhe ishujve të largët si Xhorxhia e Jugut dhe Tristan da Cunha, përpara se udhëtimi të merrte një kthesë dramatike drejt Atlantikut të Jugut dhe ishullit Shën Helena.

Më 11 prill, një pasagjer holandez vdiq nga shkaqe të panjohura dhe u zbarkua më pas, ndërsa bashkëshortja e tij u dërgua në Afrikën e Jugut dhe u shtrua në spital në Johanesburg. OBSH konfirmoi më vonë se ai ishte i infektuar me hantavirus. Më 27 prill, një tjetër pasagjer u dërgua në gjendje kritike në spital, ndërsa më 2 maj një pasagjer gjerman humbi jetën.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se infeksioni ka nisur nga kontaktet me brejtës në zonat rurale të Argjentinës, ku në vitin 2018 ishte regjistruar një shpërthim i ngjashëm i mutacionit “Andean”, i cili në disa raste mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.

Në Argjentinë, virusi bartet nga minjtë e orizit xhuxh me bisht të gjatë, të cilët jetojnë pranë zonave të banuara. Infeksioni zakonisht ndodh përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e tyre, ndërsa në disa raste edhe përmes ajrit të ndotur. Ndryshe nga format më të zakonshme, mutacioni “Andean” mund të transmetohet edhe midis njerëzve, gjë që e rrit rrezikun.

OBSH vlerëson se rreziku aktual në bordin e Hondius është i ulët, por hantaviruset mbeten në listën e patogjenëve prioritarë me potencial për emergjenca ndërkombëtare shëndetësore. Infeksioni mund të jetë fatal në deri në 40% të rasteve, çka e bën situatën objekt monitorimi të vazhdueshëm nga autoritetet globale.

Top Channel