Takimi me të rinjtë në Gjirokastër, Rama: Rrisim investimet për startup-et, shkollat do të pajisen me laboratorë smart

05/05/2026 18:15

Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në një bashkëbisedim me të rinjtë në Gjirokastër për të folur mbi teknologjinë dhe risitë e saj, si dhe mundësinë për të aplikuar në programin e startup-eve, për të cilin qeveria do të rrisë financimin.

“Fakti që dy shkolla të Gjirokastrës morën çmim në Festivalin Kombëtar të Inovacionit flet vetë. Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se inovacioni ndryshon çdo orë dhe asgjë që kemi bërë deri sot në mëngjes nuk mjafton me çfarë duhet bërë deri sot në darkë, në kuptimin për të investuar më shumë energji, forca, por edhe financa.

Kemi pasur rrugë jo të letë në këtë aspekt, por janë hapur disa shtigje, që po rrihen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë. Me programin tonë të startup-eve e kemi nisur me pak më shumë se 40 aplikime dhe tani kemi më shumë se 1500 aplikime. Kjo na ka vënë në pozitën për të ndërhyrë për të rritur financimin.

Do të duhet të bëjmë një seleksionim, jo vetëm që duhet të shtojmë financat për startup-et, por edhe të rrisim financimin edhe për ata që janë ende në shkollë dhe universitet, pa pritur të mbarojnë arsimimin. Do ta nisim që në vitin e ardhshëm, kur do të duhet të gjejmë mënyrën të financojmë prototipet e spikatura që do të kenë interes për tu shtjelluar më shumë.

Studentët do të duhet të mendojnë ndryshe, jo vetëm për të fituar një garë, por për të krijuar një produkt të vlefshëm për tregun. Vajza dhe djem fare të rinj mund të jenë inovatorë të jashtëzakonshëm në rrugën e progresit eksponencial, që është një progres krejt tjetër që jemi mësuar në histori.

Thënë të gjitha këto, unë besoj që ja vlen të shtoj edhe faktin që do vazhdojmë të plotësojmë të gjithë sistemin e shkollave me laboratorët smart, që t’i japim akses të gjithë fëmijëve në teknologji, që në hapat e parë të shkollës.

Nga ana tjetër, do të punojmë shumë fortë për të investuar më shumë në IA, në qendrat e të dhënave dixhitale, e kështu me radhë. Nuk dua të zgjatem më shumë me fjalë që ju mund t’i dëgjoni edhe në forma të tjera. Duke qenë këtu bashkarisht doja t’ju jepja fjalën edhe juve”, tha Rama.

Top Channel