Aksidenti tragjik në Durrës, Ulsi Manja: Kërkojmë ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor. Deputeti i PD-së: I kemi ligjet, por nuk i zbatojmë

05/05/2026 10:49

Pas ngjarjes së rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur, kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, është shprehur se së shpejti do t’i drejtohet Kuvendit me disa propozime për ndryshime në Kodin Penal dhe atë Rrugor.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, Manja u shpreh se shoferi i dehur që i mori jetën dy fëmijëve dhe plagosi rëndë një të tretë, nuk meriton të jetojë më mes nesh, por të ndëshkohet.

“Bashkë me disa kolegë të tjerë, ne do t’i drejtojmë Kuvendit propozime për ndryshime për Kodin Rrugor dhe Penal. Nuk duhet të ndodhin ngjarje të tilla për të ndërhyre, por po shqyrtojmë të gjitha mungesat për t’i adresuar me masat e duhura. Ngjarja është shumë e rëndë. Autori i veprës penale mund të përfaqësojë gjithçka. Ai nuk meriton të jetojë më mes nesh”, u shpreh Manja.

Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Arian Ndoja, u shpreh se në Shqipëri ekziston një ligj, por nuk zbatohet:

“Për mendimin tim, ne e kemi ligjin, 5-20 vite, por nuk zbatohet. Ky dënim nuk e ka asnjë vend tjetër europian. Në atë lagje duhet të ketë edhe sheshe, edhe lojëra. E dimë që nuk i ka. Aty ka rrugë që janë shtruar nga vetë banorët më beton”, u shpreh Ndoja.

Top Channel