Erkand Qerimaj mbetet një fenomen i gjallë i sportit shqiptar.

Edhe sot, në moshën 38-vjeçare, shkodrani vazhdon të tregojë një formë fizike dhe sportive të jashtëzakonshme, duke sfiduar moshën dhe ligjet e natyrës në një nga sportet më të rënda dhe më kërkuese në botë. Por, ndërsa forca e tij mbetet e palëkundur, mbështetja institucionale duket se ka avulluar nën peshën e konflikteve të fshehta. Përpara se të zhytemi në prapaskenat e errëta që tregojnë se çfarë po ndodh realisht mes kampionit dhe Federatës, le t’i hedhim një sy të shpejtë “kartëvizitës” së tij në arenën ndërkombëtare.

Disa nga arritjet e “Peshëngritësit të Hekurt”

Erkand Qerimaj nuk është thjesht një emër, por një institucion i peshëngritjes, i cili numëron ndër të tjera:

Kampion i Europës: Fitues i medaljes së artë në Tel Aviv (2014).

Medalist i Botës dhe i Europës: Me dhjetëra medalje të fituara në shkëputje, shtytje dhe dygarësh në Kampionate Europiane (si në Tiranë, Antalia, etj.) dhe në Kampionate Botërore përgjatë një karriere mbi dy dekada.

Dominues i Lojërave Mesdhetare: Fitues i medaljeve të arta dhe përfaqësues i denjë i flamurit në edicione të ndryshme (si Mersin, Tarragona, Oran).

Statusi i Elitës: Një nga të paktët sportistë shqiptarë që mban statusin e “Sportistit Elitar” të nivelit më të lartë, si dhe gradën e lartë ushtarake të Kolonelit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Padrejtësia e Batumit dhe 30 milionët e humbura

Në Kampionatin Europian të fundit të zhvilluar në Batumi të Gjeorgjisë, Qerimajt iu bë një padrejtësi flagrante nga ana e gjyqtarisë. Një vendim arbitrar që nuk i hoqi thjesht një medalje të merituar nga qafa, por sipas VKM-ve të qeverisë shqiptare për shpërblimin e sportistëve elitarë, i dogji atij një shpërblim prej 30 milionë lekësh të vjetra. Çuditërisht, për këtë rast flagrant nuk pati asnjë ankimim zyrtar. Heshtja ishte shurdhuese.

Kjo heshtje krijon një kontrast absurd kur kujton Lojërat Mesdhetare në Algjeri (Oran). Atëherë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, bëri “namin”. Ai ankimoi fort, me një agresivitet të admirueshëm për mbrojtjen e sportistit, duke i bërë presion gjyqtarisë derisa ata reaguan dhe korrigjuan vendimin e padrejtë në favor të Qerimajt.

Në Batumi? Asgjë. Zero reagim. Kjo bëhet akoma më e rëndë kur mendon se Elez Gjoza sot mban edhe postin e Presidentit të Federatës Ballkanike dhe “qëndronte në pedanë”, figurativisht e fizikisht. Për më tepër, vetë Presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes është Astrit Hasani, një shqiptar me origjinë nga Kosova. Pra, Shqipëria kishte të gjithë “artilerinë e rëndë” në majat e institucioneve për të ngritur zërin, por askush nuk foli. Pse?

Ekskluzive: Prapaskenat e konfliktit Gjoza – Qerimaj

Top Channel ka mësuar ekskluzivisht arsyen e vërtetë që fshihet pas këtij hezitimi dhe braktisjeje të kampionit në Gjeorgji. Mosmarrëveshjet mes Qerimajt dhe Gjozës nuk janë thjesht thashetheme korridoresh, por kanë përfunduar në dyert e policisë.

Burime ekskluzive konfirmojnë se vetë Presidenti i Federatës, Elez Gjoza, ka bërë dy herë padi në polici ndaj sportistit Erkand Qerimaj. Akuzat? Pretendime për “presion” dhe “sjellje të pahijshme” brenda zyrave të federatës, përfshirë akuzën se Qerimaj ka hyrë në zyrën e presidentit pa leje apo pa kërkuar një takim paraprak.

Këto incidente të fshehura hedhin dritë mbi “misterin” e Batumit. Duket se inatet personale dhe dyert e gjykatave apo komisaritave kanë zëvendësuar interesin kombëtar dhe mbrojtjen e djersës së sportistit në arenën ndërkombëtare.

Ironia e fatit: Kur Koloneli merret në pyetje nga vartësit

Këtu kalojmë te pjesa që, po të mos ishte tragjike për sportin, do të ishte një komedi e mirëfilltë. Siç e përmendëm, për shkak të kontributit të tij në sportin shqiptar, Erkand Qerimaj gëzon gradën e Kolonelit në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Imagjinoni pak skenën në Komisariat pas padive të Gjozës: Erkand Qerimaj, një nga sportistët më të mëdhenj të historisë së Shqipërisë dhe një Kolonel i nderuar i Republikës, paraqitet për t’u marrë në pyetje për “sjellje të pahijshme” në zyrat e federatës. Dhe kush e merr në pyetje? Oficerë të thjeshtë policie, të cilët, për nga hierarkia e gradave shtetërore, janë disa nivele më poshtë se vetë njeriu që po hetojnë.

Është një situatë thellësisht qesharake ku inspektorë me grada modeste duhet të “disiplinojnë” një Kolonel që ngre pesha për flamurin. Një absurditet “Made in Albania” ku kampionit nuk i duhet të përballet vetëm me hekurat dhe shtangat, por edhe me dosjet dhe dëshmitë në polici, thjesht sepse kërkon të drejtën e tij nga një federatë që mesa duket e ka halë në sy.

Top Channel