Hantavirusi, tre të vdekur në kroçerë. Si përhapen sëmundjet gjatë udhëtimeve ne det?

03/05/2026 21:25

Njoftimi i OBSH-së se tre persona ndërruan jetë nga ai që dyshohet të jetë infektim me Hantavirus në bordin e anijes turistike MV Hondius, që po lundronte në Atlantik, ka ngjallur panik e ka ngritur po kështu pyetje mbi rreziqet e përhapjes së sëmundjeve infektive në kroçera.

Anija MV Hondius, e drejtuar nga kompania holandeze Oceanwide Expeditions, po udhëtonte drejt Argjentinës dhe pritej ta përfundonte udhëtimin në 4 maj në Kepin e Gjelbër. Tashmë një rast i Hantavirusit në bordin e saj është konfirmuar dhe pesë të tjera janë nën hetim. Një shtetas britanik ndodhet në reanimacion. Infeksionet nga Hantavirusi zakonisht lidhen me kontaktin me urinën ose jashtëqitjet e brejtësve të infektuar, por në raste të rralla mund të përhapen nga njeriu tek njeriu, duke shkaktuar sëmundje të rënda të frymëmarrjes. Ekspertët e nënvizojnë se anijet, veçanërisht ato turistike, janë vende ku viruset mund të përhapen shpejt. Mijëra pasagjerë dhe ekuipazhet ndajnë mes tyre hapësira të mbyllura, përfshirë zonat e ngrënies, dhe udhëtimet e gjata japin kohë për përhapjen e sëmundjeve. Për më tepër, përzierja e vazhdueshme e njerëzve nga vende të ndryshme e rrit këtë rrezik. Edhe pse disa anije kanë ambiente mjekësore, ato nuk janë spitale të pajisura plotësisht. Historia tregon se anijet shpesh kanë kontribuar në përhapjen e sëmundjeve: gjatë Murtajës së Zezë në vitin 1347, anijet nga Gjenova sollën sëmundjen në Sicili, ndërsa gjatë Luftës së Parë Botërore anijet favorizuan përhapjen e gripit spanjoll (1918-1920).

Norovirusi konsiderohet shkaktar kryesor i problemeve nga diareja në anijet turistike, e pandemia e COVID-19 e përforcoi idenë e këtij rreziku pasi në rastin e Diamond Princess në Japoni, 712 nga 3,711 persona u infektuan dhe 14 vdiqën, ndërsa në Ruby Princess në Sydney, 28 persona humbën jetën dhe mbi 800 u infektuan.

 

Top Channel