Sekretari i Mbrojtjes amerikane jep “llogari” para Kongresit: Lufta në Iran nisi pa miratimin e ligjvënësve

29/04/2026 12:51

Pete Hegseth do të përballet sot me pyetjet e ligjvënësve amerikanë për të parën herë që kur administrata Trump nisi luftën kundër Iranit, të cilën demokratët e kanë kundërshtuar si një konflikt të kushtueshëm, i cili nisi pa miratimin e Kongresit.

Seanca dëgjimore para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve mbahet për të diskutuar propozimin e administratës lidhur me buxhetin ushtarak të vitit 2027, i cili do t`i çonte shpenzimet e  mbrojtjes në një nivel historik prej 1.5 trilionë dollarësh.

Hegseth dhe kreu i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, gjenerali Dan Caine, pritet të theksojnë nevojën për më shumë dronë, sisteme të mbrojtjes raketore dhe anije luftarake. Demokratët ka të ngjarë ta zhvendosin fokusin te kostot në rritje të luftës me Iranin, reduktimi i madh i municioneve kritike amerikane dhe bombardimi i një shkolle që vrau fëmijë.

Disa ligjvënës mund të vënë gjithashtu në pikëpyetje se sa e përgatitur ishte ushtria për të rrëzuar dronët iranianë, disa prej të cilëve depërtuan mbrojtjen amerikane dhe vranë ose plagosën trupa të SHBA-së. Republikanët kanë thënë se do të vazhdojnë të kenë besim në udhëheqjen e Trump gjatë luftës, për momentin, duke përmendur programin bërthamor të Iranit, mundësinë e rifillimit të bisedimeve dhe rreziqet e larta të tërheqjes.

Megjithatë, edhe në radhët e vetë ligjvënësve amerikanë ka zëra të interesuar që konflikti të përfundojë, mes frikës se nëse lufta zgjatet, zgjedhjet e mesmandatit mund të kthehen në një test kyç për presidentin. Hegseth i ka shmangur deri tani pyetjet publike nga ligjvënësit lidhur me luftën, ndonëse ka mbajtur konferenca të transmetuara nga Pentagoni, dhe kryesisht ka pranuar pyetje nga gazetarë konservatorë, ndërsa ka cituar pasazhe biblike për të kritikuar mediat kryesore në vend.

Por këtë herë, Sekretari i Mbrojtjes do të përballet me një dinamikë shumë më të ndryshme pasi pyetjet e ligjvënësve ka të ngjarë të shkojnë përtej buxhetit dhe luftës, duke prekur edhe cështjen e largimit nga detyra të disa drejtuesve të lartë ushtarakë.

 

Top Channel