“Hajde n’ballon” me Shpat Dedën, koncert magjik në universitetin e arteve, “neo soul” dhe poezi në skenë

29/04/2026 12:41

Një mbrëmje e mbushur me emocione dhe muzikë cilësore u përjetua në Sallën e Koncerteve në Universitetin e Arteve, ku Shpat Deda solli për publikun këngët e tij më të dashura dhe projektin më të ri “Hajde n’ballon”.

I shoqëruar nga banda dhe trompisti ndërkombëtar Raynald Colom, artisti ndërtoi një atmosferë unike, ku muzika dhe poezia u ndërthurën në një përvojë katarsisi shpirtëror. Energjia e publikut, që këndoi së bashku me të, konfirmoi lidhjen e fortë mes artistit dhe dëgjuesve. Koncerti rikthehet sonte për natën e fundit në Universitetin e Arteve.

Në përvojë magjike ishte mbrëmja e kaluar për artdashësit që ndoqën në Sallën e Koncerteve në Universitetin e Arteve këngët e preferuara të Shpat Dedës.

Artisti dhe banda e tij muzikore interpretuan live pesë këngët e albumit të ri “Hajde n’ballon”, të zhanrit neo soul, që prek shpirtin dhe ndez ndjesitë…

“Për mua muzika ka qenë gjithnjë një çlirim emocional. Kam titulluar kështu sepse kam dashur të krijoj një hapësirë ku mund të vijnë të gjithë dhe të kemi një moment ku të jemi në kontakt me veten përballë një evoluimi shumë të shpejtë teknologjik. Mendoj që kemi nevojë të ndalim, të mbyllim sytë…”, tha këngëtari i mirënjohur Shpat Deda.

I pyetur nëse e ndjeu energjinë e publikut gjatë mbrëmjes, këngëtari tha: “E ndjeva shumë. Edhe me këngët e reja. Më dha energjinë që jam në një rrugë të mirë”.

Një ndërthurje e muzikës dhe poezisë përmes këngëve më të njohura të artistit. Sepse ky nuk ishte një koncert i zakonshëm, ky ishte Katarsis, një udhëtim shpirtëror që të fton në reflektim. Bandës së Shpat Dedës në skenë iu bashkua trompisti me famë ndërkombëtare, Raynald Colom.

“Ishte e mahnitshme. Është hera ime e parë në Shqipëri dhe eksperienca ishte e jashtëzakonshme. Muzika e Shpatit është fantastike. Ndihem me fat që jam pjesë e këtij projekti”, u shpreh Reynolds.

KATARSIS, që organizohet nga VGA Studio në partneritet mediatik me Top Channel dhe me mbështetjen e Bashkisë Tiranë rikthehet në natën e dytë dhe të fundit sonte në mbrëmje në Universitetin e Arteve.

Top Channel