“Shqiptarët të vendosur drejt BE”, ministri Ferit Hoxha: Procesi për integrimin po ecën pa ndërprerje

28/04/2026 19:46

Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ish-ambasadori në misionin e Shqipërisë pranë BE në Bruksel shprehet se shqiptarët nuk e kanë humbur besimin te anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian.

“Për Shqipërinë dhe shqiptarët, në qendër të këtij vizioni qëndron anëtarësimi BE. Edhe pas dekadash pritje, premtimesh, skepticizmi, vonesash dhe sfidash, shqiptarët nuk e humbëm besimin. Në thelb procesi i anëtarësimit ishte e vetmja rrugë, jo vetëm si destinacion apo hyrje në një organizatë, por një mënyrë të menduari dhe jetuari”, u shpreh ministri i Jashtëm.

Në fjalën e mbajtur në Forumin e Politikës së Jashtme të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare, ministri Hoxha sqaroi përfundimisht se ku qëndron procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, duke hedhur poshtë pretendimet për një bllokim të mundshëm.

“Mund t’iu them më bindje dhe mund ta përsëris, nuk ka pasur asnjëherë asnjë lloj momenti që mund të quhet bllokim i procesit për Shqipërinë.

Çdo gjë që ndodh në këtë vend analizohet në Bruksel, nga vendet anëtare. Kemi pasur diskutime jo të lehta me një numër partnerësh. Nuk e kam përgjigjen, por dua të besoj që në procesin specifik të shqyrtimit të IBAR-it zhvillimet e tjera politike nuk kanë ndikuar”, sqaron ministri.

Ministri vuri theksin gjithashtu në rëndësinë e lëvizjes së lirë të shqiptarëve nëpër botë, duke u shprehur se në fokus të punës së tij si drejtues i Ministrisë së Jashtme janë negociatat për heqjen e vizave me 20 vende të tjera.

“Sot shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza në 123 vende të botës dhe jemi duke negociuar me 20 vende të tjera”, shprehet ministri.

Hoxha gjithashtu rikujtoi se Shqipëria vitin e ardhshëm do të mirëpresë ngjarjen historike të vendit, siç është samiti i NATO-s.

Top Channel