“Një nga rolet e mia më të rëndësishme”, aktori Donald Shehu tregon si ia doli të portretizojë burrin e sterilizuar nga nazistët te “Drejtësi në Nuremberg”: Një orë para shfaqjes…

28/04/2026 14:29

Në shfaqjen “Drejtësi në Nuremberg” në Teatrin Kombëtar, premiera e së cilës shënoi ngjarjen me të rëndësishme artistike të muajit të kaluar, aktori Donald Shehu u dallua me rolin e Rudolf Peterson, një burrë që u kastrua për shkak të të ashtëquajturit Ligji për Parandalimin e Pasardhësve me Sëmundje të Trashëguara, që çoi në sterilizime të detyruara për qindra mijëra njerëz që konsideroheshin “të papërshtatshëm”.

E kam ndjerë nga publiku se si është pritur për vetë biografinë e atij personazhi, për mënyrën se si jeta e Rudolf Peterson ka shkuar që në moshën 6-vjeçare, si e kanë keqtrajtuar për faktin se ishte pjesë e një partie komuniste. Derisa arriti në momentin e sterilizimit, që ishte pika që e ndryshoi tërësisht si njeri. Ardhja e tij në gjyq është një moment delikat, duke marrë parasysh që ka një lloj përhumbjeje. Për mua nuk ka qenë e lehtë, më është dashur një periudhë përgatitore një orë para shfaqjes, më duhej të përgatitesha për të hyrë në atë personazh, që pavarësisht se është i shkurtër, ka një dinamikë shumë të madhe“, shprehet aktori në një intervistë për “Exclusive”.

Rudolfit iu këput jeta. Në terrorin nazist, një metodë e dhunës së tyre ishte sterilizimi…

Dhe të mos kesh mundësinë për të bërë fëmijë është një fatkeqësi shumë e madhe. Është edhe ana mendore që ai e përjetoi, sepse edhe prindërit iu larguan nga jeta. Nëna e tij ka vdekur nga zemra, pavarësisht se nazistët dyshojnë se ka pasur probleme mendore. Sistemi e bëri që të mos ishte më njeri“, shton aktori.

Rodolf Peterson e kishte përjetuar nën lëkurë dhunën shtetërore. Portretizmi që i bëri këtij personazhi Donald Shehu rrëqethi publikun në skenën e Teatrit Kombëtar. Aktori i ri pranon se Rudolfi është një nga rolet më të mira të karrierës, ndërsa tregon se regjisori Arben Kumbaro, profesori i tij në universitet, i zbuloi talentin dhe e ngjiti në skenën e teatrit.

Pas çdo shfaqjeje ka pasur shumë duartrokitje, edhe pas mbarimit të skenës sime. Jam ndjerë shumë i vlerësuar, është shfaqja ime e parë ku marr një emocion kaq të madh. Janë si rezultat i punës që kemi bërë me regjisorin. Mund të jetë një nga rolet e mia më të rëndësishme në teatër dhe më të ndjeshme“.

Top Channel