Autoritetet në Ekuador po hetojnë vdekjen e ish-futbollistit profesionist Carlos Kaiser, 62 vjeç, i cili dyshohet se është sulmuar nga tre gra që e droguan me substancën e njohur si ‘Devil’s Breath’ (Fryma e Djallit).

Kaiser, i cili ka luajtur për klubin e Emelec në elitën e futbollit ekuadorian, u gjet pa shenja jete në sediljen e pasme të makinës së tij në qytetin port të Guayaquil, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Fotografitë e publikuara nga mediat lokale tregojnë ish-futbollistin të shtrirë me këmbët jashtë dyerve të hapura të automjetit.

Dëshmitarët thanë se ai kishte arritur në zonë rreth orës 2 të mëngjesit së bashku me dy gra, dhe më pas një e tretë iu bashkua, duke e vendosur atë në sediljen e pasme, ku më vonë u gjet i vdekur. Pas largimit të tyre, njëra nga gratë thuhet se u kthye me një burrë me biçikletë për të provuar, pa sukses, të ndezë makinën.

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që Kaiser, i cili sipas dëshmitarëve ishte i dehur, të jetë helmuar me skopolaminë, substancë që përdoret për të parandaluar të vjellat, por që në disa pjesë të Amerikës Latine përdoret nga kriminelët për të “kontrolluar” viktimat e tyre.

Klubi Emelec reagoi me një njoftim zyrtar: “Klubi Sport Emelec shpreh trishtimin e thellë për ndarjen nga jeta të Carlos Alberto Kaiser Rivadeneira, një lojtar historik i institucionit tonë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të dashurit e tij. Qoftë i qetë në paqe.”

Pamjet e postuara në rrjetet sociale tregojnë dy gra me të cilat Kaiser u pa duke pirë para se të gjendej i vdekur, por autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse ato janë pjesë e të dyshuarve.

Top Channel