Telashe për yllin që i shënoi Shqipërisë në Europian, ish-partnerja e akuzon për dhunë: E bënte dhe në momente intime, më çoi drejt abortit

27/04/2026 17:04

Ish-futbollisti i njohur francez Dimitri Payet, 39 vjeç, është në qendër të një skandali të madh në Brazil vetëm dy muaj pasi i dha fund karrierës së tij profesionale.

Payet, i cili mbylli aventurën e tij me klubin brazilian Vasco da Gama pas 75 ndeshjesh, njoftoi tërheqjen përmes një mesazhi emocional për tifozët. Ai ka pasur një karrierë të gjatë duke luajtur për klube të njohura si West Ham United dhe Olympique Marseille, si dhe ka qenë pjesë e kombëtares franceze.

Megjithatë, fundi i karrierës së tij është errësuar nga akuza serioze të ngritura nga ish-partnerja e tij, Larissa Ferrari, një avokate braziliane me të cilën kishte një lidhje nga gushti 2024 deri në mars 2025. Sipas raportimeve të L’Équipe, ndaj tij është hapur një proces gjyqësor për pretendime të dhunës fizike, psikologjike dhe seksuale.

Ferrari pretendon se marrëdhënia e tyre u kthye në abuzive, duke e akuzuar Payet se përfitoi nga gjendja e saj emocionale për ta manipuluar dhe detyruar në akte të dhunshme dhe poshtëruese. Në dëshminë e saj, ajo përshkruan episode të rënda, duke përfshirë edhe dhunë gjatë marrëdhënieve intime dhe një abort që sipas saj ndodhi në kulmin e krizës mes tyre në shkurt 2025.

Nga ana tjetër, Payet i mohon kategorikisht të gjitha akuzat. Ai ka pranuar ekzistencën e lidhjes, por këmbëngul se gjithçka ka qenë me pëlqim dhe se praktikat intime kanë qenë të dakordësuara. Sipas versionit të tij, Ferrari kishte kërkuar të transferohej në Francë dhe, pas refuzimit të tij, e kishte kërcënuar me publikimin e informacioneve komprometuese.

Hetimet për rastin kanë vijuar gjatë vitit 2025. Prokuroria në Brazil ka rihapur çështjen për abuzim psikologjik, ndërsa avokatët e paditëses kërkojnë që akuzat të zgjerohen edhe për dhunë fizike dhe seksuale, duke u bazuar në prova si dokumente, imazhe dhe biseda.

Mbrojtja e ish-futbollistit ka paraqitur një dokument prej 64 faqesh, ku vihet në pikëpyetje besueshmëria e dëshmisë së Ferrarit dhe theksohet mungesa e provave mjeko-ligjore. Ata kërkojnë shpalljen e pafajësisë së menjëhershme, duke argumentuar se marrëdhënia ishte konsensuale.

Tashmë pritet vendimi i gjykatës, e cila do të përcaktojë nëse çështja do të pushohet apo do të kalojë në një seancë paraprake gjyqësore.

Ndërkohë, Ferrari insiston se ka qenë viktimë e një marrëdhënieje abuzive dhe kërkon drejtësi, duke shpresuar që rasti i saj të shërbejë si shembull për të tjerët që përballen me abuzim.

Top Channel