“Larg zhurmës, afër vetes”/ Ekspozita sfidon Inteligjencën Artificiale, arti manual mbetet i pazëvendësueshëm

27/04/2026 15:58

Piktorët Gazmend Leka, Adrian Devolli, Nasuf Myftari dhe Alvino Myftarit janë bërë bashkë me krijimet e tyre në një ekspozitë që kanë vendosur ta titullojnë “Larg zhurmës, afër vetes”, si një ftesë për publikun që të largohet nga ritmi i jashtëm dhe të afrohet me përjetimin e brendshëm.

“Arti nuk mbahet vetëm me momente, por nga marrëdhëniet që krijohen. Dhe kur themi ‘Larg zhurmës, afër vetes’, nuk është për t’u larguar nga realiteti, por për të dëgjuar atë më fort”, tha Nasuf Myftari.

Ekspozita e çelur në FAM Gallery vjen dhe si një mesazh i fortë për artin pamor, që nuk mund të zëvendësohet nga Inteligjenca Artificiale, sipas piktorit Gazmend Leka.

“Inteligjenca Artificiale po na afrohet me shpejtësinë e një cunami. Shumë e shohin si një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe atentat ndaj artit manual, pikturës, skulpturës, vizatimit, duke parashikuar zbehjen apo zhdukjen e tyre. Kjo galeri që çelet në këtë moment për mua është një dëshmi se arti i krijuar me dorë dhe me shpirt nuk është relike e së kaluarës, por ka mbijetuar çdo epokë”, tha Gazmend Leka, piktor.

Sepse arti pamor për artistin, ka të bëjë mbi të gjitha me përjetimin, sepse arti i vërtetë nuk është vetëm ajo që shihet, por ajo që është jetuar për ta krijuar.

“Ai që e bën artin të gjallë nuk është vetëm rezultati, por procesi. Nuk është vetëm imazhi, por gjurma e dorës, hezitimi, gabimi intuita, koha e investuar, frymëmarrja e artistit mbi veprën. Këta janë gjëra që nuk simulohen, ato përjetohen”, shtoi Leka.

“Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë njerëz që besojnë te arti si një mision shpirtëror, janë artistë që japin dashuri përmes krijimit të tyre”, u shpreh Adrian Devolli, piktor dhe kurator.

Veprat e katër piktorëve përfaqësojnë tematika dhe teknika të ndryshme, por me qëllimin e njëjtë, për t’i dhënë më shumë hapësirë pikturës dhe për të nxitur artdashësit në një përjetim personal.

Top Channel