Pas 5 triumfeve radhazi të Aprilias, Ducati rikthehet të ndjejë shijen e fitores. Bëhet fjalë për skuadrën Ducati Gresini që në Çmimin e Madh të Jerez në Spanjë arriti të triumfojë me Alex Marquez që regjistroi fitoren e dytë radhazi në këtë pistë pas asaj të vitit të kaluar.

Alex Marquez e mori kryesimin e garës që në mesin e xhiros së dytë duke parakaluar vëllain e tij, Marc Marquez që ishte nisur nga pole position. Por pak caste më vonë, 9 herë kampioni i botës që një ditë më parë kishte fituar Garën Sprint, u rrëzua te kthesa 11, një incident që për fat të mirë nuk pati pasoja për pilotin që e braktisi garën

Në vendin e dytë në këtë garë u pozicionua Marco Bezzecchi, me italianin e Aprilias që dukej se ishte i qetë  duke qenë se ndjekësi i tij më i afërt, Fabio Di Giannantonio nuk e kërcënoi asnjëherë me këtë të fundit që u mjaftua me vendin e tretë. Menjëherë pas tij, në vendin e katërt u rendit Jorge Martin, ndërkohë që Ogura plotësoi pesëshen më të mirë të kësaj gare. Kjo e dielë për Ducatin zyrtar ishte krejtësisht për t’u harruar sepse pas Marc Marquez, edhe Francesco Bagnaia u detyrua të tërhiqej nga gara.

Pas Çmimit të Madh të Jerez, në renditjen e përgjithshme, Marco Bezzechi shkëputet akoma më shumë teksa shkon në kuotën e 101 pikëve, i ndjekur në vendin e dytë nga Jorge Martin me 90 pikë, ndërsa në vendin e tretë është Di Giannantonio me 71 pikë. Kampioni i botës në fuqi, Marc Marquez pozicionohet në vendin e pestë me 57 pikë të grumbulluara.

Top Channel