Napoli, Plani B i De Laurentiis, Sarri ose Mancini në pankinë nëse largohet Conte

22/04/2026 11:31

E ardhmja e Antonio Contes te Napoli nuk është aspak e sigurt. Përtej zërave që duan ta shohin atë në pankinën e kombëtares italiane, janë ende shumë çështje që duhen zgjidhur.

Në fund të sezonit do të ketë një takim mes Contes dhe presidentit të Napolit, Aurelio De Laurentiis, por për momentin është e vështirë të bëhet ndonjë parashikim. Përkundrazi, janë të shumtë ata që vënë bast për një largim të mundshëm të trajnerit nga Napoli, pak për shkak të zakonit të trajnerit për të mos qëndruar gjatë në një pankinë dhe pak për shkak të faktit se ai nuk është i sigurt se planet për projektin e ardhshëm do të mund të rakordojnë me ato të klubit.

Dhe për këtë arsye, sipas të përditshmes ‘Il Mattino’, De Laurentiis po tregohet i kujdesshëm duke menduar për një plan B. Një plan ky që parashikon një rikthim të madh siç është ai i Maurizio Sarrit apo Roberto Mancini, aventurës së të cilit në Katar po i vjen fundi. Por është edhe një ide tjetër që përfshin një trajner akoma më të ri në moshë, Raffaele Palladino që gjithnjë ka bërë mirë ku ka shkuar dhe që do të kthehej me kënaqësi në rajonin e tij, Campagna.

Sarri ka lënë kujtime të pashlyeshme si në aspektin e lojës ështu edhe atë të rezultateve(me të në pankinë në sezonin e tretë të Sarrit, Napoli arriti në 91 pikë) dhe sa herë është kthyer në Napoli me Lazion, përveçse ka arritur të marrë rezultate, gjithnjë është pritur me shumë ngrohtësi. Mancini ka një eksperiencë të madhe si në nivel kombëtar ashtu dhe atë ndërkombëtar dhe ka fituar trofe në Itali dhe me kombëtaren e Të Kaltërve. Ndërsa Palladino, që për më tepër ka lindur në Mugnano të Napolit, që në momentin që nisi karrierën si trajner me Monzën, ka ditur të ndërthurë lojën e këndshme me rezultatet, gjë që e ka treguar edhe në Firenze e Bergamo.

Top Channel