Prej tre dekadash, Spahi Jahja, nga Fushë Kuqja në bashkinë e Lezhës, merret me vreshtari.

E nisi në vitin 1997, kur këto fusha ishin djerrina dhe sot ka mbi 16 hektarë të kultivuara me varietete të ndryshme të rrushit. Pavarësisht shtimit të sipërfaqes së kultivuar nga viti në vit, ashtu si mijëra vreshtarë në të gjithë vendin, ai po përballet me vështirësi të mëdha.

Problemet nisin që nga skemat e mbështetjes, çmimet e larta të plehrave kimike, e deri te loja me çmimet kartel që u imponohen kur dorëzojnë mallin te grumbulluesit.

“Vjen prodhimi, halli më i madh për ta tregtuar, nga Durrësi deri në Shkodër nuk ka asnjë pikë grumbullimi dhe shkojmë në Lushnjë dhe nuk na jep as faturë as çmim. Vetëm po ta hedhësh”, u shpreh Spahi Jahja, vreshtar.

“Qarku Lezhë, qarku Shkodër nuk ka asnjë pikë grumbullimi, këtu nuk ka fshat? Nuk punohet toka?” u shpreh Spahi Jahja, vreshtar.

Ndërsa vendi është goditur nga një rritje galopante çmimesh, miratimi i skemës kombëtare i ka zhgënjyer ata që merren me bujqësi. Për vreshtarët, mbështetja që ofron kjo skemë është thuajse e papërfillshme. Nëse e krahasojmë me Kosovën, një vreshtar në Shqipëri merr vetëm një të dhjetën e mbështetjes që jepet matanë kufirit.

‘Deri para pak kohësh ndoshta kishte interes, duke filluar me rritjen e çmimeve e sidomos këtë vit dhe na ka goditur. Subvencionet e naftës u hoqën, dhe do ma japin 10 mijë lekë, Kosova jep 1000 euro për ha për vreshtarinë. Me 10 mijë, e papërballueshme të merret me vreshtari’, u shpreh Spahi Jahja, vreshtar.

Këtë vit, u hoq skema mbështetëse e naftës për fermerët. Një hap që përkon me krizën e re të karburanteve pas nisjes së konfliktit në Iran. Një konflikt që duket se po jep efektet edhe në Shqipërinë e gjetur të papërgatitur nga faktorët e jashtëm. Kjo reflektohet edhe në rritjen e shpejtë të çmimeve të të gjitha inputeve për bujqësinë.

“NPK që i kemi marrë vjet me 7 mijë, sot 9500 lekë, nuk marr asnjë mbështetje. Vjet ka pasur për inpute, kurse këtë vit asgjë”, u shpreh vreshtari, Spahi Jahja.

Në skemën e re të mbështetjes këtë vit, qeveria ka premtuar rimbursim 10 % të të gjitha faturave për shitjen e produkteve, por fermeri Spahia thotë se ky treg është informal dhe pikat e grumbullimit nuk u lëshojnë faturë.

“Këtë duhet ta shohë Ministria e Bujqësisë, se fermeri e dorëzon te pika e grumbullimit pa faturë, por me një copë letër dhe ik”, u shpreh vreshtari, Spahi Jahja.

Pas tri dekadash përpjekjesh për të mbajtur gjallë këtë biznes të vështirë, ky vreshtar shpreson të mund të përfitojë një mbështetje për të ndërtuar një kantinë, duke e mbyllur ciklin e prodhimit të tij. Por kjo duket e vështirë në një kohë që fondet IPARD ende nuk kanë marrë dritën jeshile.

“Ne s’kemi pika grumbullimi, ne shpenzojmë 100 litra naftë, aq është fitimi…”, u shpreh vreshtari, Spahi Jahja.

“Nuk do ta lëmë se kemi investuar një jetë, ka 35 vite që punoj, por shteti duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi, por bujqësia po vdes”, u shpreh vreshtari, Spahi Jahja.

Top Channel