Video/ Përfshihet nga flakët një fabrikë fishekzjarrësh në Indi, 13 të vdekur dhe 40 të plagosur Në orët e fundit të armëpushimit, presidenti amerikan, Donald Trump, thekson se nuk do ta zgjasë atë, duke paralajmëruar Iranin për rikthimin e luftës, nëse nuk ulet në tryezën e bisedimeve.
Udhëheqësi Suprem, Mojtaba Khamenei, i ka dhënë ‘OK’ delegacionit iranian për bisedimet me Shtetet e Bashkuara, por Islamabadi, kryeqyteti pakistanez ku parashikohet të zhvillohen bisedimet të mërkurën, tha se nuk ka marrë ende konfirmim zyrtar nga Teherani.
Presidenti Donald Trump i kërkoi sërish Iranit të pranojë negociatat për t’i dhënë fund luftës, duke i paralajmëruar se Forcat Hapësinore Amerikane kanë vendosur kamera në çdo centimetër të objekteve të tyre bërthamore.
Gjithashtu, Trump iu kërkoi udhëheqësve iranianë të lirojnë tetë vajza, që regjimi islamik thuhet se do të ekzekutojë para negociatave të paqes.
“Do ta vlerësoja shumë lirimin e këtyre grave. Ju lutem mos u bëni keq atyre! Do të ishte një fillim i shkëlqyer për negociatat tona”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Në bisedimet e të mërkurës në Islamabad, delegacioni amerikan drejtohet nga zëvendëspresidenti JD Vance, ndërsa Pakistani njoftoi se vijon përpjekjet për të bindur edhe udhëheqësit iranianë të bashkohen në raundin e dytë të negociatave.
Autoritetet pakistaneze i kërkuan Uashingtonit dhe Teheranit që të zgjasin armëpushimin dhe të ndjekin rrugën diplomatike, si mjetin e vetëm për të arritur paqen dhe stabilitetin në rajon.
Top Channel