Rrëzohet nisma e PD për naftën/ Mazhoranca kundër propozimit të opozitës: Kosto e lartë, mungon analiza financiare

20/04/2026 19:48

Dy projektligjet e propozuara nga opozita për përballimin e krizës së karburanteve janë rrëzuar në komisionet parlamentare të kësaj të hëne, mes kritikash nga mazhoranca për koston e lartë dhe mungesën e analizës financiare.

Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, nisma e deputetëve të Partisë së Lirisë për pezullimin e taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit deri në vitin 2028 u konsiderua e papërballueshme për buxhetin.

“Kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me rritjen e çmimeve të karburanteve”, u shpreh deputeti i Partisë Liria, Edmond Haxhinasto.

“60% e këtij çmimi janë taksa. Nëse marrë një krahasim me rajonin. Do të shihni që në 2000 lekë litër për naftë ne paguajmë 120 lekë taksa. Në Kosovë 0.67% taksa dhe Maqeodnia e veriut 0.49% taksa”, tha deputetja Erisa Xhixho.

“Qeveria ka ngritur bordin e transparencës dhe është mbledhur 10 herë dhe e ka mbajtur në kontroll dhe ka vendosur që me tejkalim të çmimit kemi ulje të akcizës. Ky diskutim që ju propozoni s’bëhet në këtë fazë të buxhetit. Një pezullim i kësaj takes ndikim të drejtpërdrejt në buxhet”, tha deputeti i PS, Adi Qose.

Opozita këmbënguli se barra fiskale mbi karburantet është ndër më të lartat në rajon dhe po reflektohet në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, por pa arritur të bindë shumicën. Edhe projektligji i dytë në Komisionin për Burimet Natyrore, ai për krijimin e një mekanizmi reagimi ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse, nuk mori mbështetjen e nevojshme.

“Konsumi i naftës në mars 35.8 mijë ton nga 33.8 mijë ton të një viti më parë një rritje 6%. Vetëm për TVSH e mbledhur shteti ka përfituar 3.5 mln në doganë dhe 4.3 mln me efektin shtesë si tepricë tek pompa. Shqiptarët kanë shpenzuar diçka më shumë se 10 mln euro. Në kohë krize qeveria ka fut para në xhep t’i kthehet konsumatori”, deputeti i PD, Eno Bozdo.

“PD që gjatë ngritjet e bordit ka pasur një qëndrim ekstrem politik për vendimmarrje transparente joautoritare e jo me çmime reale. Ky lloj qëndrimi s’më bën sens. Kur ka rënie të konsumit ka rënie të akcizës, a janë marrë parasysh këto elemente”, tha zv.kryetari i Komisionit për Burimet Natyrore Ceno Klosi.

“Ndërhyrjet kanë sjellë ulje të të ardhurave në buxhet, jo fitime për shtetin”, u shpreh ish-ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.

Rrëzimin e projektligjit mazhoranca e mbështeti edhe me argumentimin se një kuadër i ri ligjor është në proces. Sipas tyre Shqipëria ka mekanizma ekzistues për menaxhimin e rezervave dhe krizave, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Top Channel