Kjo që shihni në këto pamje është një galeri arti e sapoçelur në kryeqytet, e cila përveç pikturave unike ka dhe një specifikë të veçantë, autorë janë 4 drejtues policie dhe galeria vetë është një pronë që i është konfiskuar krimit në vitin 2023.
Dikur dyqan në pronësi të Redian Rrajës, i dënuar me burgim të përjetshëm për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku u plagos edhe Pëllumb Muharremi dhe humbi jetën shoferi Andi Maloku, tani kjo hapësirë i ka kaluar shtetit, duke u kthyer në një oaz arti.
Ardisan Fezollari, Edmond Rizai, Idajet Faskaj dhe Neritan Nallbati, emra me peshë brenda uniformave blu, u bënë bashkë në pasionin për pikturën duke çelur ekspozitën “Creatio ex ordine”.
Drejtori i Drejtorisë Hetimore në Policinë Kriminale, Edmond Rizai, thotë se policia dhe piktura janë të dyja pjesë të tij, ku njëra udhëhiqet nga mendja e tjetra nga bota e brendshme.
“Piktura është e shpirtit, policia e mendjes”, tha Drejtori i Drejtorisë Hetimore në Policinë Kriminale, Edmond Rizai
Ndërsa për Drejtorin e Interpol, Idajet Faskaj, megjithëse dy fusha shumë të ndryshme, piktura dhe policia janë shumë të ngjashme.
”Duan durim të dyja”, tha Drejtorin e Interpol, Idajet Faskaj.
Kjo galeri nuk do të jetë një rast i izoluar, pasi pritet që shumë prona të tjera të krimit t’i kthehen publikut.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara aktualisht ka 20 prona të konfiskuara dhe mbi 500 të sekuestruara, për të cilat nuk është dhënë ende një vendim i formës së prerë.
Top Channel