“Mamma Mia”, një musical i njohur në të gjithë botën që bashkon temat e identitetit, familjes dhe nostalgjisë me një histori prekëse dhe një skenar të mprehtë vjen në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve si një produksion i studentëve të Fakultetit të Muzikës, nën Drejtimin Artistik të artistes dhe pedagoges Manjola Nallbani, në bashkëpunim me Fakultetin e Artit Skenik, me regji Redjan Mullës.
“Si për studentët, ashtu edhe për profesionistët, dalja në skenë është një eksperiencë që të mëson. Është një laborator, një proces që nuk ndalon kurrë. Dhe studentët ndiejnë emocionin, ndiejnë vlerësimin“, u shpreh Redjan Mulla.
Studentët do të interpretojnë këngët më të njohura të ABBA-ve, ndërthurur me një një tekst plot humor të hollë.
“Është një ëndërr e bërë realitet të shohim në skenë nëj vepër të plotë musical. Nuk e kisha imagjinuar momentin kur e nisa këtë lëndë për herë të parë. Do të dalim me këtë shfaqje që është produkt i Universitetit të Arteve“, tha Manjola Nallbani.
Mama Mia mbështetet në këngët e grupit suedez pop/dance ABBA, një nga grupet më të njohura pop të të gjitha kohërave, duke kryesuar vazhdimisht listat në Evropë, Amerikën Veriore dhe Jugore, si dhe Australi. Shfaqja fton publikun në datat 20 dhe 22 prill në Universitetin e Arteve.
Top Channel