Zv.kryeministrja Koçiu përballet me banorët e prekur nga zjarri pranë QSUT: Kjo fatkeqësi na ka dhënë një mësim, do kemi masa konkrete

17/04/2026 15:10

Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka inspektuar ditën e sotme pallatin e prekur nga zjarri i dy ditëve më parë pranë QSUT në Tiranë ku mbetën të djegura 71 apartamente.

Koçiu është shprehur se ka komunikuar edhe me Bashkinë e Tiranës, e cila do të mundësojë akomodimin e banorëve të prekur, duke ofruar bonus qiraje ose strehim.

“Duhet të vihen para përgjegjësisë të gjithë ata që mund të kenë çështje lidhur me situatën e shkaktuar. Dhe e dyta, grupi i ekspertëve po vlerëson situatën edhe në nivel politikash, edhe në nivel instrumentesh. Kjo këtu ne na shërben si një rast i mirë për të nxjerrë mësime, por duhet të presim që të mbarojnë hetimet”, u shpreh zv.kryeministrja Koçiu.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e prekur nga zjarri, zv.kryeministrja shtoi se e gjithë kjo situatë është një fatkeqësi që ka dhënë një mësim që do të reflektohet në masa konkrete.

“Është një fatkeqësi që ka prekur dhe sensibilizuar jo vetëm institucionet, por të gjithë ata që merren me ndërtim. Ju ka prekur juve në radhë të parë. Ajo që do të them sot para jush është garancia që ne do të na keni në krah deri në fund të procesit, deri sa pallati të kthehet në gjendjen për të cilën ju keni paguar.

Kjo ngjarje na ka dhënë një mësim që duhet ta reflektojmë në masa konkrete. Por ajo që ka rëndësi është që firma merr përsipër që t’i kthejë hyrjet e dëmtuara në gjendjen që ju i keni blerë. Për të gjitha këto jemi bashkë në të gjithë procesin”, shtoi Koçiu.

Top Channel