“Futbolli italian ka humbur shpejtësinë dhe talentin”/ Ancelotti: Nëse nuk rikthejmë mentalitetin mbrojtës…

17/04/2026 12:48

Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka ngritur alarmin për rënien e futbollit italian, duke theksuar hendekun gjithnjë e më të madh mes Serie A dhe elitës evropiane.

Në një intervistë për Il Giornale, Ancelotti u shpreh se problemi kryesor lidhet me mungesën e ritmit dhe intensitetit në lojë.

“Dallimi themelor është ritmi, jo vetëm fizik, por edhe mendor, përqendrimi dhe pjesëmarrja e vazhdueshme në lojë. Futbolli italian e ka humbur këtë,” deklaroi ai.

Sipas trajnerit, Italia ka humbur një nga pikat më të forta historike: qëndrueshmërinë mbrojtëse. Ai theksoi se obsesioni për taktikën ka deformuar stilin tradicional të lojës.

“Futbolli nuk është vetëm të shënosh më shumë, por edhe të pësosh më pak. Nëse nuk rikthejmë mentalitetin mbrojtës, do të vazhdojmë të vuajmë,” u shpreh Ancelotti.

Duke komentuar ndeshjet e fundit në UEFA Champions League, ai vuri në dukje se spektakli me shumë gola shpesh fsheh probleme serioze në mbrojtje.

“Ndeshje si Atletico Madrid–Barcelona apo Bayern Munich–Real Madrid janë spektakolare, por shumë gola do të thotë edhe shumë gabime nga mbrojtësit dhe portierët,” tha ai.

Ancelotti kujtoi gjithashtu kohët kur Italia ishte qendra e futbollit botëror, duke theksuar se sot talentet më të mëdha nuk zgjedhin më Serie A.

“Me të drejta të mëdha televizive dhe investime të forta jashtë Italisë, tregu është bërë më tërheqës diku tjetër. Pyetja është: ku po formohen lojtarët e rinj italianë?” përfundoi ai.

Deklaratat e Ancelottit vijnë në një moment kritik për futbollin italian, që po kërkon rrugën për t’u rikthyer në majën e Evropës.

Top Channel