Kosova nuk është pjesë e agjendës për takimin e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Draft-agjenda e takimit që mbahet në maj në Moldavi tashmë është publike dhe nuk përfshinë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë edhe pse agjenda mund të përditësohet.

Për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri Albin Kurti diskutoi mbrëmjen e së mërkurës me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, por nuk u njoftua mbi detajet e kërkesave të bllokut.

Kosova që nga viti 2024 ka ngecur në rrugën e saj drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se edhe në vitin 2025, vendi humbi këtë mundësi për shkak të bllokadave institucionale.

“Ne vitin e kaluar kemi humbur shansin duke mos pasur qeveri legjitime dhe kuvend funksional që të aplikojmë në Këshillin e Evropës për t’u anëtarësuar në këtë organ të rëndësishëm në nivel evropian”, tha Naim Jakaj-hulumtues, IKD.

Duke pasur një afat kushtetues deri më 28 prill, të cilit deputetët duhet t’i binden për zgjedhjen e presidentit të ri, për të shmangur zgjedhjet, kjo e vështirëson edhe më shumë avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Jakaj thotë se nëse ka zgjedhje, një qeveri në detyrë, nuk mund të dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që është kusht për anëtarësim.

“Nëse veç ka zgjedhje, nuk do të ketë qeveri legjitime dhe legale në mënyrë që të procedojë kërkesën kryesore që ka ky këshill për t’u renditë, apo për të qenë pikë e rendit të ditës në mbledhjen e asamblesë parlamentare, dërgimin e asociacionit ose draftit të asociacionit në Kushtetuese”, u shpreh Naim Jakaj-hulumtues, IKD.

Në maj të vitit 2024, çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e la Kosovën jashtë agjendës së takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Franca dhe Gjermania e disa vende të tjera anëtare kërkuan që Kosova ta dërgonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e asociacionit.

Në maj të atij viti, më anë të një letre dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, atë kohë ministrja e punëve të jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla tha se qeveria vetë po përgatit një draft-statut të asociacionit për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Letra nuk u mor parasysh dhe draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk u dërgua asnjëherë në kushtetuese.

 

Top Channel