Malago do Allegrin në krye të Italisë/ Milani nis nga puna për të zëvendësuar trajnerin, kush janë emrat që përfliten

15/04/2026 10:48

Giovanni Malago konsiderohet kandidati kryesor për t’u bërë presidenti i ri i FIGC, ndërsa vendimi final pritet të merret pas zgjedhjeve të ardhshme.

Ish-kreu i CONI mund të përballet menjëherë me një sfidë të madhe: zgjedhjen e trajnerit të ri të përfaqësueses italiane, pas një tjetër dështimi për t’u kualifikuar në Botëror.

Situata në kampin e “Azzurrëve” mbetet e paqartë, me Silvio Baldini të emëruar vetëm përkohësisht. Federata kërkon një trajner me përvojë dhe identitet të qartë italian, në përpjekje për të rikthyer rrënjët dhe stabilitetin pas rezultateve zhgënjyese.

Emri më i përfolur për stolin e Italisë është ai i Massimiliano Allegri. Aktualisht në krye të Milanit, Allegri shihet si një zgjedhje logjike për shkak të përvojës dhe aftësisë së tij për menaxhimin e grupit dhe përshtatjen taktike sipas kundërshtarit.

Megjithatë, ka dyshime nëse ai është njeriu ideal për një ekip kombëtar që nuk ka shumë yje në përbërje. Analistët vlerësojnë se Allegri mund të jetë zgjedhja e duhur për një rindërtim gradual, më shumë sesa për një rikthim të menjëhershëm në elitën e futbollit botëror.

Ndërkohë, te Milani po presin me interes zhvillimet, pasi largimi i mundshëm i Allegrit do të hapte diskutime për zëvendësuesin e tij. Në listën e kandidatëve përmenden emra si Vincenzo Italiano, një preferencë e drejtuesve të klubit, si dhe Gian Piero Gasperini, situata e të cilit te AS Roma po ndiqet nga afër.

Një tjetër pistë interesante mbetet rikthimi i Simone Inzaghi në Serie A. Trajneri italian, i cili ka pasur sukses me Inter duke fituar një titull kampion dhe duke arritur dy finale të Ligës së Kampionëve, mund të rikthehet pas eksperiencës së tij jashtë Evropës.

Top Channel