Barcelona dhe Flick u ankuan te delegati para ndeshjes, UEFA detyron Atletiko Madridin të shkurtojë barin e fushës

14/04/2026 13:25

Në një ndeshje të Champions League gjithçka duhet të jetë perfekte dhe detajet më të vogla shikohen me vëmendje. Dje u bë virale një video e trajnerit të Barcelonës, Hansi Flick, i cili i ankohej delegatit të çerekfinales së sotme me Atletikon për gjatësinë dhe cilësinë e barit në stadiumin “Metropolitano”.

Së fundmi UEFA ka reaguar në lidhje me këtë çështje, duke dhënë garancinë se gjithçka do të jetë brenda parametrave deri në një ore para ndeshjes, që nis në 21:00 me orën tonë. Delegati danez, Christian Kofoed, i është përgjigjur klubit katalanas në mbledhjen e paradites së sotme.

Zyrtari i UEFA-s ka siguruar se gjatësia e barit të fushës do të jetë 26-30 milimetra, aq sa është edhe e lejuar në protokollin zyrtar. Gjithashtu, bari do të ujitet mirë si para ndeshjes, ashtu edhe në pushimin mes pjesëve.

Barcelona e ka perceptuar këtë episod si një tentativë të Atletiko Madridit për t’ia bërë të vështirë përmbysjen e rezultatit 0-2, të regjistruar në “Camp Nou” në betejën e parë. Këtë episod klubi “blaugrana” e ka hasur edhe në gjysmëfinalen e parë të “Kupës së Mbretit”.

 

 

Top Channel