U fut për të grabitur një banesë, ky është hajduti që u gjet pa jetë brenda ambienteve të shtëpisë në Fier

13/04/2026 17:20

Personi në foto është 47-vjeçari Ilir Zarka, i cili humbi jetën në rrethana të pazakonta, teksa kishte tentuar të kryente një vjedhje në Fier.

Viktima ka tentuar të futet në një banesë duke thyer xhamin e dritares. Ai dyshohet se është ngjitur me ndihmën e një stoli, por gjatë përpjekjes për të hyrë, ka humbur ekuilibrin pasi stoli i ka rrëshqitur nga këmbët.

Për pasojë, gjysma e trupit i ka mbetur e bllokuar në dritare, duke mbetur i varur për orë të tëra gjatë natës, çka dyshohet se i ka shkaktuar vdekjen.

Trupi i pajetë është konstatuar në orët e mëngjesit nga një fqinj, i cili kujdesej për banesën në mungesë të pronarit, raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni.

Sipas Nikollaq Lules, vëllai i pronarit të banesës, shtëpia trekatëshe i përket Uan Lules, i cili prej rreth një muaji ndodhet në Greqi pranë fëmijëve të tij. Ai shton se fqinjët kanë njoftuar menjëherë policinë sapo kanë konstatuar ngjarjen.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë kryer veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndërkohë, trupi i viktimës është dërguar në morgun e Fierit.

Top Channel