Në një intervistë për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda, ka treguar se për çfarë ankohen të huajt dhe shtetasit shqiptarë.
Sipas tij, shqiptarët ankohen për largim nga puna edhe për shkak të bindjeve politike, ndërsa të huaj që punojnë këtu për mbajtje me forcë të dokumenteve.
-Anila Hoxha: Ju theksoni në raportin vjetor se shumë qytetarë janë ankuar për motive politike, për çfarë bëhet fjalë?
-Robert Gajda: U bë viti i pestë apo i gjashtë që na rezulton se heqjet nga puna për bindjet politike vijnë tek ne dhe ankohen . Më parë kishim vërejtur ankesa për largime nga pushtetet qendror. Tani e shohim tek vendori. Dhe bëhet fjalë për njerëz që hiqen nga partitë opozitare, por nuk mbeten imune edhe ata që kanë kryetarë të pushtetit vendor nga opozita dhe kanë larguar nga puna të pozitës.
-Anila Hoxha: Ata që largohet janë më së shumti të opozitës apo mazhorancës?
-Robert Gajda: Në pjesën më të madhe titullarët janë të pozitës dhe ata që ankohen janë të forcave të opozitës
-Anila Hoxha: Të huajt trokasin gjithashtu në institucionin tuaj dhe pretendojnë diskriminim. Për çfarë shkeljesh flitet?
-Robert Gajda: Akuza për shembull të mbajtjes me forcë, të mbajtjes me forcë të dokumenteve, mos pagim rroge dhe gjuhë urrejtjeje. Ne nuk mund ti ndjekim të tëra, ato që janë penale i kemi adresuar menjëherë në prokurorinë dhe policitë e Durrësit dhe ë Vlorës konkretisht që ti verifikojnë se pretendimet janë shumë të rënda në këto raste.
Top Channel