“Molotovarët eksportojnë llumin në Europë”/ Rama për opozitën: Tentojnë të pengojnë Shqipërinë, BE mahnitet me ta

13/04/2026 17:41

Nga asambleja e Partisë Socialiste në Vlorë, kryeministri Edi Rama e cilësoi opozitën si “molotovarët”, teksa tha se PD po përpiqet të pengojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE.

Sipas kryeministrit Rama, nuk ka ndodhur në historinë e BE që opozita e vendit kandidat të shkojë në Bruksel dhe të pengojë anëtarësimin.

“Molotovarët i kemi mbrapa, përpara kemi sfidat. Janë specia e vetme që njeh Europa në aspektin e eksportimit të llumit nëpër Europë për të penguar sa të munden Shqipërinë. Këtë gjë nuk e them unë, e dëgjoj nga ata në Europë. Ata mahniten, sepse nuk kanë parë më parë. Ka pasur Maqedonia konflikte, por nuk kanë shkuar trupa parlamentare të opozitës dhe t’i thonë bllokojeni Maqedoninë, mos hapni derë për Maqedoninë.

Kanë bërë ç’kanë bërë luftë në Maqedoni, por jo në gjuhë të huaj. As Mali i Zi, opozita nuk ka bërë vaki të shkojë në Bruksel dhe të thotë pengojini, ndalojini. Si mundet të kriminalizohet vendi yt, nuk flas për qeverinë këtu. Mua sulmet e tyre më janë bërë sukses dhe shëndet, si mund të kriminalizohet vendi yt. Kur njerëzit thonë sa ka ndryshuar Tirana, ata thonë hanë paratë e krimit, sa bukur ndërtimet në Vlorë, janë paratë e krimit. Argëtojnë publikun e vendeve të tjera me histori kriminelësh.

Nuk ia ka bërë këtë askush vendit të vet. Është paimagjinueshme, por ja që na ka rënë ne kjo. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm çfarë kemi në kurriz, është një barrë shumë e rëndë. Të bëjmë histori, duke i kapërcyer të gjitha pengesat, duke korrigjuar gjëra dhe ta realizojmë objektivin historik”-tha Rama.

Top Channel