Analiza/ Kreshnik Spahiu: Pse festuan Trampistat në Shqipëri për humbjen në Hungari?
Nga Aladin Stafa
Zgjedhjet e djeshme në Hungari na sollën të gjithëve ndërmend edhe njëherë se ‘fundi‘ ekziston. Megjithatë, jo domosdoshmërisht mund ta quajmë këtë ngjarje si pozitive apo negative. Pas 16 viteve në pushtet, Viktor Orban, lideri i të djathtës ekstreme, humbi mundësinë e drejtimit të Hungarisë pas zgjedhjeve më të përfolura në Europë në dekadat e fundit. Me një sistem zgjedhor kompleks, një pjesmarrje të lartë votuesish, rreth 80%, dhe ambicien e një lideri Peter Magyar ia doli në fund të fitonte.
Por kush është në të vërtetë P. Magyar?
Një jurist dhe ish-burokrat, P. Magyar nuk vjen nga një rrugëtim politik, tradicionale e opozitës, përkundrazi ai është pjesë e elitës pranë pushtetit. Një ‘hallke‘ e rëndësishme pushteti për të treguar rrënjët, duke ditur se si sistemi funksion me të gjithë pikat e dobëta të tij. Filloi të marrë zë duke u pozicionuar si një rebel brenda llojit, ndërsa dëgjohej të fliste kundër korrupsionit dhe manipulimit si fenomen jo vetëm politik, ai kritikonte ashpër qeverinë Orban.
Ndryshe nga opozita tradicionale, P. Magyar u ekspozua më shumë si pragmatist në botkuptimin e tij politik sesa si ideologjik, me një fokus të qartë tek drejtësia, shteti funksional dhe anti-korrupsioni. Megjithëse një produkt i sistemit ai arriti ta rrëzojë këtë të fundit, pa qenë plotësisht jashtë tij.
Por përtej euforisë, pyetja që ngrihet është: a ka Magyar një vizion të qartë për të ardhmen e vendit apo ai mbetet thjesht një “anti-Orban“?
Ne mund të hamendësojmë se cfarë epoke mund të ketë përfunduar por nuk dimë me siguri se cfarë epoke ka filluar. Në pikturën e madhe të globit, fitorja e Peter Magyar mund të lexohet si një histori nga ato klasiket ku një figure e re shfaqet papritur, një shoqëri e lodhur kërkon ndryshim dhe në fund një sistem që shembet prej peshës së vet. Një shpjegim ky, që sado logjik dhe i natyrshëm, mbetet ende i paplotë.
Hungaria nuk loz vetëm në fushën e botës. Ajo është pjesë e një tabloje më të madhe politike dhe ekonomike, cfarë do të thotë që ndikimet, interesat dhe strategjitë nuk janë thjesht të brendshme por edhe të jashtme. Hungaria e viteve të fundit nuk ishte vetëm një vend me qeveri të fortë por edhe kundërshtare e fortë e politikave të BE-së. Për vite me rradhë Orban ka shkuar në drejtim të kundërt me të, madje duke u rreshtuar në anën e Rusisë dhe të Kinës, jo vetëm si retorikë por edhe në aplikimin e politikave.
Andaj në aspektin europian, kjo ngjarje shihet si një rikthim brenda klubit, një aleat më shumë për perëndimin; një sinjal se projekti europian ende ka peshë në skakierën makro-politike.
Por përtej romantizmit politik, qeveria e Magyar pritet të ketë disa detyra urgjente në tavolinë, qysh ditën e parë të qeverisjes së tij. Me gjasë nëse Budapesti nuk forcon demokracinë, nuk ul pabarazinë ekonomike dhe nëse nuk lufton korrupsionin, ky ndërrim ‘emrash‘, fituesish apo humbësish nuk garanton asesi, sidomos stabilitet edhe për pjesë të tjera në Europë. Në planin global, ku rivaliteti sa vjen e thellohet, cdo ripozicionim qoftë edhe i një vendi të mesem merr shumë rëndësi. Një Hungari më afër Perëndimit i tejkalon interesat e brendshme.
Rastësia në politikë vështirë se ekziston. Hungaria erdhi pikërisht në atë pikë ku rebelimi i brendshëm në popull u përputh me kontekstin e jashtëm, aty kur duhej dhe me aktorët e duhur. Sepse cdo shoqëri duhet të ripërcaktojë marrëdhënien e saj me shtetin, me të vërtetën dhe të ardhmen e saj.
Por a ishte vota e popullit hungarez refuzim i një sistemi apo thjesht lodhje nga po e njëjta figure? A po kërkon shoqëria institucione më të forta dhe të pavarura apo një version më të butë të së njëjtës logjikë pushteti?
Në fund, ajo që po ndodh në Hungari nuk është aq moderne sa duket. Historia na ka treguar shpesh momente kur një rend i qëndrueshëm fillon të cahet pikërisht nga brenda dhe jo nga armiqtë e jashtëm. Si rrjedhojë, figura e Peter Magyar, na kujton një model të vjetër sa vetë politika; atë të njeriut që del nga sistemi, ai i cili e krijoi, si një dëshmitar për ta sfiduar atë.
Një paralelizëm i largët mund të gjendet tek rënia e Perandorise Romake. Figura që njihnin sistemin, e përdorën atë dhe në fund e tejkaluan. Asokohe, Republika nuk u shemb një moment por u transformua gradualisht në dicka tjetër. Andaj Hungaria tanimë është duke përjetuar një ndarje reale me të kaluarën apo një transformim më të butë e të pranueshëm?
Sepse në të vërtetë sistemet rrallë zhduken- ato përshtaten. Dhe ndonjëherë ndryshimi më i madh nuk është kur një epokë përfundon, por kur ajo vazhdon… me një fytyrë tjetër.
Top Channel