Astronautja e NASA, Christina Koch, një nga anëtaret e misionit Artemis II, ka emocionuar rrjetin pas kthimit të saj në Tokë, me një video prekëse të ribashkimit me qenin e saj, Sadie.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, qeni shihet duke e pritur me padurim astronauten dhe më pas duke vrapuar drejt saj me entuziazëm, në një moment që është bërë viral në internet. Koch, dukshëm e emocionuar, ndau çaste të ngrohta me Sadie pas një mungese rreth 10-ditore gjatë misionit hapësinor.

Misioni Artemis II shënoi një moment historik për eksplorimin hapësinor, duke qenë fluturimi i parë me astronautë që iu afrua Hënës në më shumë se 50 vite. Koch bëri histori si gruaja e parë që orbiton Hënën, duke u kthyer në një simbol të rëndësishëm për përfaqësimin e grave në hapësirë.

Pas kthimit, ajo ndau edhe reflektime mbi përvojën e saj unike në hapësirë, duke përshkruar pamjen e Tokës nga lart si një përzierje mahnitëse drite dhe errësire. “Jo vetëm që vura re bukurinë e saj, por edhe errësirën përreth, që e bënte edhe më të veçantë,” u shpreh ajo.

Sipas saj, kjo përvojë theksoi sa të ngjashëm janë njerëzit mes tyre dhe sa i çmuar është planeti Tokë. Koch e ka dokumentuar gjithë aventurën e saj përmes postimeve në rrjetet sociale, ku ndërthur përshkrime poetike me momente personale nga misioni.

Ribashkimi me qenin e saj, megjithatë, duket se ka prekur më shumë publikun, duke u kthyer në një nga momentet më të shpërndara të kthimit të saj nga hapësira.

Top Channel