Një familjeje elbasanase i duhen minimalisht 30 vite punë për të blerë një shtëpi.
Trendi i rritjes së çmimeve vijon me ritme të larta, duke shkuar nga 30% deri në 50%. Sipas agjentit imobiliar Shpëtim Basha, në zonat qendrore të qytetit, çmimi për metër katror arrin deri në 1300 euro, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë blerjen për familjet me të ardhura mesatare dhe çiftet e reja.
Kjo situatë, sipas Bashës, po penalizon kryesisht qytetarët që jetojnë me paga mujore, ndërsa të vetmit që arrijnë të përballojnë këto çmime janë emigrantët.
Në mungesë të mundësisë për blerje, çiftet e reja po orientohen drejt banesave me qira, por edhe në këto të fundit çmimet kanë shënuar rritje të ndjeshme. Për këtë arsye, shumë prej tyre po detyrohen të zgjedhin zona periferike ose banesa me sipërfaqe më të vogël.
Specialistët e fushës e shohin me skepticizëm të ardhmen e tregut, duke paralajmëruar se trendi i rritjes së çmimeve pritet të vijojë edhe në vijim.
Top Channel