Rruga në Shëngjin drejt fundit, ndërtimi i “Bypass” pritet t’i japë frymëmarrje trafikut gjatë sezonit turistik

12/04/2026 12:25

Në prag të sezonit turistik, bypassi i Shëngjinit po merr formë dita-ditës.

Ky projekt infrastrukturor synon të shmangë trafikun e rënduar në qendër të qytetit dhe të lehtësojë aksesin drejt zonave bregdetare më të frekuentuara. Punimet për ndërtimin e bypass-it të Shëngjinit, një nga investimet më të rëndësishme për zonën turistike të Lezhës, po vijojnë me ritme të shpejta.

Projekti është hartuar nga Bashkia Lezhë dhe financohet nga qeveria shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky aks i ri rrugor synon të reduktojë ndjeshëm trafikun në qendër të qytetit, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve rritet ndjeshëm drejt bregdetit.
Sipas inxhinierëve të projektit, bypassi do të ketë një gjatësi prej 8.1 kilometrash me dy sense kalimi.

Punimet kanë nisur në muajin tetor të vitit të kaluar dhe janë planifikuar të përfundojnë brenda 18 muajsh. Megjithatë, edhe pse jo i përfunduar plotësisht, segmenti pritet të jetë i kalueshëm brenda kësaj vere.

Hapja e tij do të ndikojë menjëherë në lehtësimin e qarkullimit për mjetet që i drejtohen zonave turistike si Rana e Hedhun dhe Velipoja, duke shkurtuar kohën e udhëtimit dhe duke përmirësuar ndjeshëm përvojën e pushuesve.

Top Channel