“Do të ketë rritje pagash dhe pensionesh”, Rama: Kemi gati mekanizma të qëndrueshëm për të ardhurat e shqiptarëve

12/04/2026 10:07

Kryeministri Edi Rama foli në podcastin e tij mbi rritjen e pagave dhe pensioneve, duke theksuar se qeveria ka vendosur mekanizma të qëndrueshëm për rritje reale të të ardhurave dhe mbrojtje të fuqisë blerëse.

Ai prezantoi rritje pagash për sektorin publik, veçanërisht për mjekët, infermierët dhe policët, si dhe një skemë komplementare për pensionet që do të dyfishojë kontributet individuale në të ardhmen.

“Nga 1 janari i këtij viti kemi hyrë në një fazë të re të rritjes së pagave, me një drejtim të qartë: rritje reale e të ardhurave dhe mbrojtje e fuqisë blerëse. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pagat nominale, të cilat, nga paga minimale në shkallë vendi, janë rritur në 500 euro, apo në mesataren e përgjithshme kanë arritur në rreth 10%, me një ritëm të qëndrueshëm si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Po këtu bëhet fjalë për çka na ka munguar si mekanizëm, jo sepse nuk e kemi ditur mungesën, por sepse s’kemi mundur ta adresojmë si pasojë e mungesës së mundësive të ekonomisë. Sot që ekonomia na ka dhënë mundësi të reja, ne kemi vendosur të indeksojmë pagat në sektorin publik çdo dy vite, me mekanizma shtesë për kategori të ndryshme, dhe kësisoj të korrigjojmë impaktin e inflacionit mbi pagën për mësuesit, për mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe administratën.

Një vëmendje e veçantë i është dhënë sistemit shëndetësor, ku nga qershori pagat do të rriten edhe në disa shërbime kritike. Mjekët e urgjencës do të trajtohen në të njëjtin nivel me të tjerët edhe për sa i përket rojeve, që janë një ngarkesë ekstra. Ndërkohë, shtesat konkrete do të arrijnë në 18 mijë lekë në muaj për mjekët dhe 12 mijë lekë për infermierët dhe teknikët, të shoqëruara me paga më të larta për turnet dhe një sistem rivlerësimi për përvojën.

Është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë aty ku përgjegjësia është më e lartë dhe ku sistemi kërkon mbështetje të përditshme. Është një politikë e qëndrueshme, sepse është një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe janë mekanizma të nevojshëm, që kjo rritje ekonomike i ka bërë të mundshëm dhe, patjetër, edhe të matshëm në atë që është llogaria e çdo familjeje që jeton me punë të ndershme”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te skema e rritjes së përvitshme të pensioneve, duke thënë: “Ndërkohë që kemi stabilizuar dhe kemi vënë në lëvizje një skemë rritjeje të përvitshme të pensioneve, çka është rritur në këtë janar do të dyfishohet në janarin e ardhshëm, do të trefishohet në janarin e 2028-ës, do të katërfishohet në janarin e 2029-ës dhe do të pesëfishohet në janarin e 2030-ës.

Po përgatisim edhe një kolonë tjetër të skemës së pensioneve, e cila i bashkëngjitet në mënyrë komplementare sistemit aktual, kolonës qendrore të pensioneve, duke krijuar një hapësirë të re dhe një mundësi të dytë mbështetjeje për të ardhmen.

Ideja është shumë e thjeshtë: çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, do të ketë një kontribut të barabartë nga pala tjetër, shteti ose punëdhënësi në sektorin privat. Në këtë mënyrë, kontributi dyfishohet dhe, muaj pas muaji, krijohet një fond individual, i cili i shtohet pensionit që përfitohet normalisht nga kolona e parë, skema ekzistuese.

Kjo nuk është absolutisht diçka “alla shqiptare”, sepse ne nuk bëjmë të tilla; po mësojmë nga përvojat më të mira dhe përpiqemi të sjellim këtu modele të sprovuara. Pra, është një model i mirënjohur që krijon mundësinë e krijimit gradual të një fondi pensionesh, për më shumë siguri për individin dhe për një lidhje më të qëndrueshme mes punonjësit dhe punëdhënësit, shtetit apo privatit. Një mekanizëm sigurie financiare për moshën e tretë dhe, e përsëris, një mekanizëm komplementar që nuk e prek, por e forcon mekanizmin aktual”.

Top Channel