Besimtarët ortodoksë kremtojnë sot Pashkën, festime anë e mbanë vendit me mesazhe për paqe dhe dashuri

12/04/2026 10:40

Besimtarët ortodoks kanë kremtuar Pashkën e madhe në Vlorë. Në kishën e qytetit Shën Theodhori, atmosfera e pashkëve është ndier në meshën e madhe e cila ka pritur orën e mesnatës për të njoftuar ringjalljen e Krishtit.

Qindra besimtarë iu bashkuan meshës së drejtuar nga at Kostandin Prifti, ndërsa morën më pas zjarrin e kishës për ta çuar në banesat e tyre.

Urime e fjalë të ngrohta janë ndarë nga besimtarët mes tyre.

Për At Kostandin Priftin, këto janë kohëra kur duhet të kujdesemi të shmangim konfliktet dhe t’i dhurojmë njëri tjetri sa më shumë mirësi.

Pashka u festua edhe në Dhërmi. Qindra besimtarë u mblodhën për të festuar ditën më të rëndësishme të kalendarit fetar. Një organizim si kurrë më parë, mes festivalit të dronëve dhe fishekzjarrëve.

Edhe besimtarët ortodoksë të Shkodës kanë marrë pjesë në vigjiljen e Pashkës. Mesha u drejtua nga At Nikolla Petani i cili në fjalën e tij u lut për më shumë paqe në botë dhe dashuri për njeri-tjetrin.

Në mesnatën e së dielës së Pashkës, besimtarët ortodoksë në Berat përjetuan një nga çastet më të shenjta të besimit të tyre, shpalljen e mesazhit të madh “Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!”

Ceremonia u zhvillua në katedralen Shën Dhimitrit nën drejtimin e Mitropolitit të Beratit, Imzot Asti. Qindra besimtarë u mblodhën si brenda ashtu edhe jashtë ambientit të kishës, duke u bashkuar në lutje për paqe, shëndet dhe mirëqenie.

Liturgjia e ringjalljes nisi me meshën e shenjtë, ku u përcoll mesazhi i shpresës dhe i fitores së jetës mbi vdekjen. Një nga momentet më domethënëse ishte marrja e dritës së shenjtë, kur besimtarët ndezën qirinjtë nga flaka e bekuar, simbol i dritës hyjnore që e çojnë në shtëpitë e tyre si bekim.

Kulmi i kremtimit u arrit në mesnatë, kur sheshi përpara katedrales u ndriçua nga qindra qirinj, duke krijuar një atmosferë të veçantë shpirtërore dhe plot simbolikë, që bashkoi komunitetin në një moment të përbashkët besimi dhe shprese.

Besimtarë të shumtë në Gjirokastër morën pjesë në shërbesën fetare të Ngjalljes së Krishtit, mesnatën e së shtunës në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Ceremonia religjoze u drejtua nga Mitropoliti i Gjirokastrës, Nathanaili. Besimtarët ndezën qirinj si dhe shpërndanë dritën e shenjtë duke përcjellë mesazhe paqeje, shprese dhe besimi.

Pashka mbetet një nga festat më të rëndësishme për besimtarët ortodoksë, duke sjellë mesazhe shprese dhe ripërtëritje shpirtërore.

Top Channel