Zgjedhjet në Hungari/ “Po bashkëpunon me të huajt”, Orbán dhe Magyar shkëmbejnë akuza në ditët e fundit të fushatën

11/04/2026 09:47

Në ditët e fundit të fushatës zgjedhore në Hungari, kryeministri Viktor Orbán dhe rivali i tij i opozitës, Péter Magyar, kanë ashpërsuar tonet duke shkëmbyer akuza të forta ndaj njëri-tjetrit.

Orbán akuzoi kundërshtarin se po bashkëpunon me faktorë të huaj dhe se po përpiqet të ndikojë rezultatin e zgjedhjeve përmes presionit dhe dezinformimit. Sipas tij, kjo është një përpjekje për të vënë në dyshim vullnetin e popullit hungarez.

Nga ana tjetër, Magyar i hodhi poshtë këto pretendime, duke akuzuar qeverinë për manipulim zgjedhor, propagandë dhe përhapje lajmesh të rreme. Ai u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Sipas sondazheve të fundit, opozita kryeson ndaj partisë në pushtet, duke rritur mundësinë për një ndryshim historik pas 16 vitesh qeverisje nga Orbán. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sistemi zgjedhor mund të favorizojë ende partinë në pushtet.

Fushata është shoqëruar edhe me akuza për ndërhyrje të jashtme, si dhe tensione mes Hungarisë dhe Bashkimit Europian, për shkak të politikave të qeverisë aktuale.

Zgjedhjet e së dielës konsiderohen vendimtare për të ardhmen politike të vendit dhe po ndiqen me vëmendje të madhe edhe nga ndërkombëtarët.

Top Channel