Rrëfimi i Fabrizio Miccioli: Juventus më poshtëroi duke më lënë vetëm në autobus, në burg luaja në portë sepse…

11/04/2026 12:04

Ka pasur një jetë problematike, ashtu i idhulli i tij, Diego Armando Maradona. Kur Fabrizio Miccolo ishte fëmijë, një të dielë në stadiumin Via del Mare për Lecce-Napoli iu shfaq Diego. ‘Ishte sikur të kisha parë Jezus Krishtin-tregon ai-më bëri përshtypje sepse ishte altruist, luante më shumë për të dhënë asist sesa për golat. Vendosa se doja të isha si ai’.

Dhe për një pjesë të mirë të kohës ia doli. Këmbë magjike, fanela me numrin 10, prirja për miqësi të rrezikshme, telashet me drejtësinë, burgu…. Miccoli tregoi gjithçka në librin e tij ‘Lavdia dhe mëkati i një kampioni’.

Por talenti rebel i futbollit italian bën një rrëfim për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’.

Nisim nga San Donato, vendlindja jote në provincën e Lecces

’Nga San Donato, përveç meje kanë dalë disa futbollistë, për shembull Pasquale Bruno e Domenico Progna’ . 

Në moshën 12 vjeçare, telefonata e Milanit

‘Isha në kolegj në Lodi bashkë me djem të tjerë që do të kishin ecur shumë;  Coco, Maresca, Daino, Corrent.  Vuaja dhe nuk rezistova dhe në sezonin e dytë u ktheva në shtëpi. Mendova se do të më kishte marrë Lecce, por ata më shtangën: ‘Nuk është se këtu do jesh titullar sepse ishe te Milani’. Nënshkrova me Casarano. Atje kalova radhët dhe në moshën 16 vjeçare debutova në Serie C. Nisa të shënoja dhe kalova te Ternana dhe më pas te Juventus që më dha me huazim te Perugia’

Është e vërtetë që Moggi të bëri ta paguash faktin që refuzove të kishe agjent djalin e tij Alessandro? 

‘Kur shkova në Torino, shumë më këshillonin të nënshkruaja për Gea të Alessandro Moggi. Edhe Antonio Conte, që është nga Lecce si unë. Por unë e kisha agjentin tim, ishte Caliandro dhe nuk doja ta tradhëtoja. Nuk e di nëse e gjithë kjo që ndodhi më pas ishte nga inati

Çfarë ndodhi?

‘Luciano Moggi më thumbonte për tatuazhet, vathët, flokët dhe kur u ktheva nga huazimi  te Fiorentina pati një episod me autobusin. Juventusi kishte fituar titullin dhe një ditë na çuan në Bashki për të marrë një çmim. Unë u lashë vetëm në autobus, duke pritur; një situatë poshtëruese. Më dhanë me huazim te Benfica’

U pendove që i the ‘jo’ Alessandro Moggi?

‘Nuk jam penduar, por kam pyetur vetem si do të kishte shkuar karriera ime nëse do kisha pranuar të ndryshoj agjent. Që më pas… Gjithnjë i kam qendruar besnik Caliandres dhe sot me Caliandron nuk flas më. Kur isha në burg, më thonin që Luciano Moggi, telefononte për të ditur si isha nëse kjo më bëri të reflektoj. Përtej gjtihçkaje, sot mendoj se Moggi ishte një njeri i vërtetë’.

Juventus, Fiorentina, Benfica dhe më pas Siçilia. U bëre Maradona e Palermos dhe ashtu si Diego përfundove në telashe të mëdha.

‘Duhej të isha më i kujdesshëm, të kuptoja dinamikat. Bashkëshortja ime më thoshte: ‘Kujdes me kë frekuentohesh’. Ndihesha si Maradona te Napoli, isha kaq mirë….Mendoja se isha mbi gjithçka’

Në Palermo u dënove me 3 vjet e 6 muaj burg për zhvatje të stilit mafioz. Një çështje për mbledhje borxhes të lidhura me një klub nate. Ti ishe ndërmjetës dhe i kërkove ndihmë një mikut tënd, djalit të një bosi të Cosa Nostra.

‘Afeksionohem menjëherë me njerëzit, kam tendencën të besoj. Atë djalin e njoha gjatë periudhës së riaftësimit nga një dëmtim. Ai luante mes diletantëve, frekuentonim të njëjtën fushë për të rikuperuar. U bëmë mirë, ai në atë kohë nuk kishte precedentë. Unë di që nuk e kisha bërë atë zhvatje. Ajo që më torturon është gjëja tjetër, përgjimi telefonik’.

‘Ai Falcone i qelbur’, fraza e thënë nga ty, pak metra nga pema e mbjellë në kujtim të gjykatësit që u vra nga mafia në Capaci në 1992.

‘E saktë. Më vjen turp, për veten dhe familjen time. Nuk e di sesi më dolën ato fjalë. Ishte agim, sapo kishim dalë nga diskoteka, e kisha mendjen të mjegulluar. Këto janë shpjegimet që i dhashë vetes. Nuk kërkoj justifikime, mundem vetëm të kërkoj ndjesë. Gabova dhe kërkoj falje’.

Ti i kërkove falje Maria Falcone, motrës së gjykatësit. Ajo që përshkruan takimin tuaj është faqja më intensive e librit

‘Sapo kreva dënimin, fluturova në Palermo për të takuar zonjën Maria dhe djalin e tij Vincenzo. Më pritën dhe më kuptuan. I kërkova ndjesë zonjës Falcone, i fola për turpin që ndjeja, sa isha penduar. Ajo më buzëqeshi dhe tha; ‘Të fal’. U preka, u ndjeva i çliruar nga një peshë e vërtetë që ndjeja. Bëmë një foto që e mbaj për vete. Me Vincenzon mbetëm në kontakt, shpresoj që në Palermo ta prezantojmë së bashku librin te Fondazioni Falcone’

Gjashtë muaj dënim i kreve në burg në dhjetor 2021-maj 2022. Cili ishte momenti më i vështirë?

‘Kur u dorëzova në burgun e Rovigo më shoqëruan miqtë e mi të përhershëm, Giovanni e Pierpaolo dhe avokati Savoia. Zbrita nga makina dhe ajo rruga e përshkuar me këmbë drejt kangjellave me çantën në shpinë ishte e tmerrshme. Pastaj dokumentat, kontrolli…

Shpejt të transferuan në Vicenza në një institut të rezervuar për të mëdhenjtë e kriminalitetit

‘Më pritën shumë mirë, nuk më përfshinë kurrë te gjërat e tyre. Kur kishin çështje me largonin. Më thonin: ‘Ti çfarë bën këtu’?

Është e vërtetë që në ndeshjet e luajtur në fushat e burgut ishe në portë?

‘E konfirmoj. Më thanë një batutë; ‘Fabrizio, këtu vritemi për 2 gjëra; letrat dhe topin’. E kuptova. kështu rrija mes shtyllave dhe ato pak herë që luaja si sulmues nuk bëja asnjëherë fenomenin, lëvizja me frena dore. Luanim një orë në javë, ishte një moment pa mendime dhe kështu duhej të mbetej.

Ku ishe kur vdiq Maradona?

‘Në makinë, radio po jepte lajmin dhe unë duhej të hapja krahun për dhimbjen e fortë që ndjeva. Ndalova për 10. minuta. Në një kuti siguroe ruaj vathin që Finanza i sekuestroi në aeroportin e Romës. E bleva në një ankand për 25 mijë euro, ajo që më përfaqësoi ishte bashkëshortja e ish drejtorit të bankës sime. Nuk e kam vendosur, do të doja t’ia ktheja. Tatuazhin e Che Guevara e bëra sepse e kishte edhe ai. Mua politika s’më ka interesuar kurrë, por e dija kush ishte Che Guevara sepse xhaxhai im Tonino, një njeri i së majtës, fliste gjithnjë’.

Çfarë bën sot?

‘Jetoj në Lecce, drejtoj shkollën time të futbollit në San Donato, me vajzat mund të ngjitemi në Serie C dhe do të ishte një rezultat historik. Kam një aktivitet bad&breakfast në Gallipoli., po përfundojmë një strukturë me 6 suita në sheshin Santa Chiara në qendër të Lecces. Jam një person ndryshe dhe për këtë i detyrohem bashkëshortes sime Flavia. Ajo gjithnjë ka qenë aty. Kur isha në burg nuk mungoi në asnjë takim dhe sillte edhe fëmijët tanë. Nuk do ta harroj kurrë’.

Top Channel