Sipas raportimeve të gazetës spanjolle “AS”, drejtori i përgjithshëm i klubit, José Ángel Sánchez, fillimisht mori pjesë në takimet për reformimin e sistemit të arbitrimit, por më pas u tërhoq në momentin e fundit.

Ai thuhet se ka kontaktuar presidentin e Federatës për të komunikuar se Real Madridi nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen, duke thelluar përplasjen mes palëve.

Akuza për ndeshjen me Gironën

Klubi madrilen pretendon se “pikënisja” e krizës ishte ndeshja ndaj Gironës në La Liga, ku vendimet e arbitrit Albertola Rojas janë cilësuar të njëanshme. Sipas Real Madridit, dy episode të ngjashme ndaj Kylian Mbappé janë trajtuar ndryshe, pavarësisht pamjeve televizive. Burime pranë klubit e përshkruajnë situatën si “një garë e deformuar nga gjyqtarët”, duke theksuar se klubi nuk do të rikthehet në bashkëpunim me Federatën pa një reformë të thellë të sistemit të arbitrimit. Një burim i afërt me drejtuesit e klubit deklaron: “Nuk kërkojmë privilegje, por drejtësi. Ajo që po ndodh është e pajustifikueshme dhe e papranueshme”.

Marrëdhënie të ftohta me Federatën

Tensionet u vunë re edhe gjatë ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munich, ku zyrtarë të lartë të futbollit spanjoll ishin të pranishëm në “Santiago Bernabéu”, por marrëdhëniet e ftohta mes palëve ishin të dukshme. Megjithëse klubi pranon se rezultatet nuk varen vetëm nga gjykimi, ai konsideron se vendimet e arbitrave kanë ndikuar ndjeshëm në pikët e humbura dhe këmbëngul se qëndrimi i tij nuk do të ndryshojë pa reforma të thella në sistemin e arbitrimit spanjoll.

Top Channel